Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, në selinë e KFOR-it në Camp Film City, në Prishtinë.
Sipas njoftimit të KFOR-it, gjatë takimit është diskutuar për situatën e sigurisë në rajon, me ç’rast Ulutaş ka ritheksuar përkushtimin e misionit të udhëhequr nga NATO për ruajtjen e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë.
Takimi vjen në prag të përfundimit të mandatit të Ulutaşit në krye të KFOR-it, i cili pritet të përmbyllet në mesin e muajit tetor.
Me këtë rast, komandanti i KFOR-it e ka falënderuar Prattipatin për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke shprehur gjithashtu mirënjohje për kontributin afatgjatë dhe të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara në misionin e KFOR-it.
KFOR-i ka rikujtuar se vazhdon zbatimin e mandatit të tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me synim garantimin e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.
Misioni ka theksuar se vepron në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, sipas përgjegjësive të tyre përkatëse në fushën e sigurisë.