Një sulm gjatë natës në aerodromin ushtarak Borisoglebsk, në rajonin rus të Voronezhit, goditi gjashtë aeroplanë bombardues Su-34M; katër prej tyre u shkatërruan, ndërsa dy u dëmtuan, njoftoi presidenti Volodymyr Zelensky më 15 tetor.
“Rusët i përdornin ata (aeroplanët Su-34M) për të terrorizuar popullin tonë. Këta aeroplanë ishin gati për sulme të reja ndaj Ukrainës dhe ishin të pajisur me bomba ajrore”, ka thënë Zelensky, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Rusia po e zvarrit luftën, prandaj operacionet tona me rreze të gjatë do të vazhdojnë”, shtoi ai.
Sulmi u krye duke përdorur sistemin raketor bregdetar “Neptune”, njoftuan forcat detare të Ukrainës në platformën Telegram.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës bëri të ditur se në territorin e aerodromit u regjistruan shpërthime dhe një zjarr.
E guvernatori i rajonit të Voronezhit, Alexander Gusev, kishte paralajmëruar disa herë për një sulm me dronë.
Ndërkohë, pamjet e sulmit, të filmuara nga banorë vendas, shfaqnin shpërthime dhe një zjarr të madh në aerodrom.
Aerodromi ushtarak Borisoglebsk thuhet se ndodhet rreth 370 kilometra larg vijës së frontit. /Telegrafi/

