Ukraina po përgatitet për një dimër të rëndë, pasi sulmet e shtuara ruse ndaj infrastrukturës dhe industrive kryesore të eksportit po e përkeqësojnë krizën buxhetore, deklaruan të shtunën zyrtarë ukrainas.
Ministri i Ekonomisë, Oleksandr Kravchenko, tha se dëmet në infrastrukturë dhe asetet fikse nga sulmet ajrore ruse vlerësohen në afro 10 miliardë dollarë për këtë vit, ndërsa kostot më të gjera ekonomike të sulmeve dhe bllokimi de facto i porteve të vendit përllogariten në rreth 1.5 pikë përqindjeje të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
“Parashikojmë një dimër shumë të vështirë, si për sa i përket infrastrukturës kritike – e cila po shkatërrohet çdo ditë nga sulmet ruse – ashtu edhe për sa u përket kushteve të përgjithshme ekonomike në vend”, tha Kravchenko.
“E gjithë kjo ndodh në një kohë kur buxheti dhe hapësira fiskale janë shumë të kufizuara”, u tha ai investitorëve, zyrtarëve dhe diplomatëve në konferencën YES në Kiev.
Ndërsa luftimet në vijën e frontit kanë ngecur kryesisht pas më shumë se katër vitesh e gjysmë lufte në Ukrainë, Rusia dhe Ukraina kanë shënjestruar gjithnjë e më shumë rrjetet logjistike dhe asetet e tjera ekonomike, në përpjekje për të dobësuar kapacitetet luftarake të njëra-tjetrës.
Prej më shumë se dy javësh, Rusia ka kryer sulme pothuajse të vazhdueshme ndaj Kievit duke përdorur dronë më të shpejtë me motorë reaktivë, duke çrregulluar jetën e përditshme, biznesin dhe funksionimin e institucioneve qeveritare.
Si Rusia, ashtu edhe Ukraina, mohojnë se shënjestrojnë qëllimisht civilët gjatë sulmeve ajrore.
Moska gjithashtu ka bllokuar efektivisht portet ukrainase në Detin e Zi, duke intensifikuar sulmet ajrore ndaj rajoneve jugore të vendit.
Rreth 40 miliardë dollarë të ardhura nga eksporti janë në rrezik si pasojë e bllokadës, tha Kravchenko.
Produktet kryesore të eksportit të Ukrainës – produktet bujqësore, si dhe hekuri e çeliku – transportohen përmes porteve të saj në Detin e Zi.
Ndërkohë, ndërsa sulmet ruse dëmtojnë infrastrukturën dhe industrinë, të ardhurat e brendshme buxhetore kanë filluar të vihen nën presion.
Të ardhurat e brendshme ishin 1.35 miliard dollarë nën nivelin e parashikuar gjatë tetë muajve të parë të vitit, ku një e katërta e këtyre humbjeve u regjistrua vetëm në muajin gusht, tha Roksolana Pidlasa, kryetare e komisionit parlamentar për buxhetin.
Ajo theksoi se lufta po bëhet gjithnjë e më e kushtueshme dhe se Ukraina nuk mund t’i financojë më plotësisht nevojat e saj për mbrojtje përmes burimeve të brendshme, siç kishte bërë në vitet e mëparshme.
Ukraina shpenzoi rreth 42 miliardë dollarë për mbrojtjen e saj në tetë muajt e parë të vitit, duke përjashtuar ndihmën ushtarake në formë materialesh.
Megjithatë, gjenerimi i të ardhurave të brendshme dhe huamarrja vendase siguruan vetëm 39 miliardë dollarë gjatë kësaj periudhe, tha Pidlasa.
“Fatkeqësisht, këtë vit lufta është bërë aq e kushtueshme, saqë nuk mund të mbulojmë dot as pjesën tonë të shpenzimeve”, tregoi ajo në konferencë.
Kostoja ditore e luftës u rrit në rreth 190 milionë dollarë këtë vit, krahasuar me 140 milionë dollarë në vitin 2023, për shkak të inflacionit, shtimit të numrit të trupave, rritjes së pagesave sociale për familjet e ushtarëve të rënë dhe konsumit më të lartë të municioneve, shtoi ajo.
Ukraina përballet me një deficit shtesë financimi për mbrojtjen e saj deri në fund të këtij viti. Qeveria po kërkon mënyra për të shkurtuar ose shtyrë shpenzimet buxhetore jo-ushtarake dhe po negocion me partnerët perëndimorë për më shumë mbështetje financiare, por deri më tani nuk është gjetur asnjë zgjidhje e qartë dhe e shpejtë. /Telegrafi/