Aplikacioni i alarmit ajror në Ukrainë është sulmuar nga hakerë, duke dërguar paralajmërime të rreme për kërcënime bërthamore dhe kimike në Kiev dhe zonat përreth, njoftuan autoritetet ukrainase.
Mesazhet e rreme përfshinin edhe pretendime për luftime në rrugë dhe përdorimin e raketës hipersonike ruse Oreshnik. Forcat Ajrore të Ukrainës konfirmuan se nuk kishte kërcënim radioaktiv dhe u bënë thirrje qytetarëve të qëndronin të qetë.
Kievi fajësoi Rusinë për sulmin kibernetik, ndërsa disa orë më vonë edhe Ministria ruse e Emergjencave njoftoi se aplikacioni i saj ishte goditur nga një sulm i madh kibernetik, që kishte shpërndarë informacione të rreme. Moska nuk identifikoi autorët e sulmit.
Incidentet ndodhën pas përfundimit të një armëpushimi lokal në rajonin e Hersonit, i cili zgjati nga e marta deri të dielën dhe u cilësua si më i gjati i luftës deri më tani./Klankosova.tv

