KORREKT / SOT20 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Ujë në vend të naftës, aktakuzë ndaj 12 personave për mashtrim me derivate

Ujë në vend të naftës, aktakuzë ndaj 12 personave për mashtrim me derivate

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave nën dyshimet për “Krim të organizuar”, “Mashtrim”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Pastrim parash”, në një rast që, sipas Prokurorisë, i ka shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej mbi 4.6 milionë eurosh.

Aktakuza është ngritur më 20 tetor 2026 në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe përfshin edhe vepra penale që lidhen me “Armëmbajtjen e paautorizuar”, “Falsifikimin e parasë” dhe “Përdorimin e armës ose mjetit të rrezikshëm”.

Sipas Prokurorisë Speciale, të pandehurit dyshohet se kanë vepruar në bashkëpunim nga janari i vitit 2021 deri në dhjetor të vitit 2025, përmes një skeme të mashtrimit që përfshinte importimin e derivateve të naftës, përdorimin e autoboteve të modifikuara, faturimin e transaksioneve të dyshuara fiktive dhe deklarimin e pasaktë të qarkullimit e detyrimeve tatimore.

Dëmi i pretenduar ndaj buxhetit të shtetit, sipas aktakuzës, arrin në 4 milionë e 637 mijë e 893 euro e 69 centë.

Sipas aktakuzës, skema dyshohet se ishte organizuar përmes blerjes së derivateve të naftës nga kompania “G.O.G.” SHA. në Shqipëri, me qëllim importimin e tyre në Kosovë, transmeton Zeri.info.

Prokuroria pretendon se gjatë transportit drejt Kosovës, në shumicën e rasteve, mjetet transportuese zëvendësoheshin me autobote të tjera të modifikuara, të cilat mbusheshin me ujë deri në 90 për qind të kapacitetit. Ndërkohë, një pjesë e derivateve të naftës dyshohet se mbetej për t'u shitur në territorin e Shqipërisë.

Të pandehurit, sipas Prokurorisë, dyshohet se kanë bashkëpunuar edhe në deklarimin e sasive të ujit si derivate të naftës, si dhe në lëshimin e pranimin e faturave për mallra që pretendohet se nuk kanë ekzistuar.

Në këtë skemë, sipas aktakuzës, janë përdorur disa biznese përmes të cilave dyshohet se janë siguruar, lëshuar dhe pranuar fatura fiktive për blerjen dhe shitjen e derivateve, me qëllim të zvogëlimit të detyrimeve tatimore.

Prokuroria pretendon se disa nga të pandehurit kanë pasur role të ndryshme në organizimin dhe realizimin e skemës, nga transportimi i derivateve dhe deklarimi i transaksioneve deri te modifikimi teknik i autoboteve.

Sipas aktakuzës, njëri nga të pandehurit dyshohet se ka organizuar dhe mbikëqyrur transportimin e derivateve, përfshirë dërgimin e autoboteve për modifikim në një punëtori në Han të Elezit.

Një tjetër i pandehur dyshohet se ka marrë pjesë në transportimin e ngarkesave drejt pikës kufitare të Vërmicës, me qëllim të shmangies së kontrolleve doganore dhe përfitimit material.

Ndërkaq, një person tjetër akuzohet se ka kryer modifikime teknike në autobote, duke ndërhyrë në ndarjet e brendshme, tubacionet dhe kolektorët, si dhe duke mbyllur ose ndryshuar disa nga daljet origjinale.

Prokuroria po ashtu pretendon se njëri nga të pandehurit ka mbajtur në emër të tij pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të cilat dyshohet se janë përdorur ose financuar nga persona të tjerë të përfshirë në këtë rast.

Të 12 personat do të përballen me akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale, ndërsa përgjegjësia e tyre penale do të vlerësohet nga gjykata gjatë procedurës gjyqësore. /Zëri

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.