Një çift në Filipine i thanë “po” njëri-tjetrit, pavarësisht përmbytjeve të mëdha që kishin pushtuar kishën ku zhvillohej ceremonia.
Leian Lieza Galang dhe Gilbert Chico u martuan në kishën Saint John the Baptist në qytetin Hagonoy, në veri të Manilës, ndërsa uji kishte arritur deri në bel.
Nusja, e veshur me fustan të bardhë, hyri me kujdes në ujërat e turbullta duke mbajtur buqetën me lule të bardha.
Edhe dhëndri mbërriti me kostum, ndërsa të dy thanë se nuk u shqetësuan që rrobat u lagën.
Prifti zhvilloi një ceremoni të shkurtuar, pasi kisha kishte qenë pjesërisht nën ujë për gati një muaj.
Edhe pse çifti ishte këshilluar ta shtynte dasmën, ata vendosën të vazhdonin.
“Ne e donim njëri-tjetrin. Asgjë nuk mund ta ndalte bashkimin tonë”, tha çifti.
Në ceremoni morën pjesë më pak se 15 persona. Një fotograf i dasmës tha se edhe unaza e martesës u dërgua drejt altarit nga një djalë që ecte nëpër ujë.