Fluturimet nga Turqia drejt Rusisë janë përfshirë nga anulime dhe vonesa të shumta gjatë 24 orëve të fundit, me rreth 80 fluturime të prekura në aeroportet e Moskës.
Dhjetëra turistë rusë të bllokuar në Antalia kanë pritur për orë të tëra për t’u kthyer në Rusi.
Disa prej tyre kanë thënë se kanë qëndruar në aeroport për gati 10 orë në pritje të fluturimit drejt Moskës, ndërsa nisjet vazhdojnë të pengohen.
Kompania ajrore Pegasus Airlines ka deklaruar se situata lidhet me kufizimet në hapësirën ajrore.
“Nuk e dimë se çfarë të presim; pala turke nuk po lejon nisjet”, thuhet në deklaratën e kompanisë.
Edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka konfirmuar një gjë të tillë.
“Po marrim informacione se kompanitë e para ajrore kanë nisur të refuzojnë operimin e fluturimeve drejt aeroporteve ruse, pas njoftimit tonë për kërcënimin nga dronët, i cili ekziston objektivisht në hapësirën ajrore të Rusisë. Ky është reagimi i duhur dhe krejtësisht logjik ndaj fakteve ekzistuese, ndaj gjithçkaje që shkaktohet nga lufta të cilën Putini nuk dëshiron ta përfundojë”, tha ai.
Deri më tani, nuk janë dhënë detaje të plota mbi arsyen e kufizimeve, ndërsa situata ka shkaktuar pasiguri te udhëtarët.
Vonesat dhe anulimet kanë bërë që gjithnjë e më shumë udhëtarë rusë të ngrenë pyetje mbi zhvillimet që po ndodhin në hapësirën ajrore të rajonit. /Telegrafi/
