Në rrethin Eyyubiye të Sanliurfa, Turqi, pema e ullirit “Xhudi”, rreth 1.332-vjeçare, vazhdon të japë fruta ende.
E cilësuar prej shekujsh si pjesë e “Gjysmëhënës Pjellore”, zona ka një traditë të gjatë të kultivimit të ullirit.
Pema “Xhudi”, e cila ndodhet në një kodër dominuese në zonën rurale Altinbasak, u regjistrua si pasuri natyrore e mbrojtur në vitin 2007.
Pema historike, e cila vazhdon të jetojë prej shekujsh, jep mesatarisht 50 kilogramë ullinj në vit dhe është kthyer në një simbol të zonës, duke tërhequr edhe vizitorë.
Drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë së Ejjubijes, Isa Izgi, tha se kultivimi i ullirit ka qenë i përhapur në rajon gjatë gjithë historisë.
“Ajo pemë jeton në majë të kodrës prej plot 13 shekujsh. Pema e ullirit Xhudi është simbol i pjellorisë. Ajo është një dëshmi e pjellorisë së produkteve të tjera bujqësore në rajon. Për 13 shekuj është rritur këtu pa u ujitur dhe shpresojmë ta shohim edhe për shumë vite të tjera”, tha Izgi.
Banori Osman Kilic tha se prej vitesh pushojnë nën hijen e pemës historike.
“Ne e kemi parë këtë pemë, ashtu siç e kanë parë edhe stërgjyshërit tanë. Është simboli ynë. E mbrojmë. Prej vitesh jep ullinj dhe ne i konsumojmë”, tha ai.
Sude Nur Ertuga tha se ullinjtë e kësaj peme kanë shije të veçantë dhe se çdo vit presin kohën e vjeljes. Ajo shtoi se ullinjtë e pemës u shërbejnë edhe mysafirëve të veçantë. /AA/
