Mos e ngatërroni pritjen spektakolare me zbutjen strategjike.
Nga: Miles Yu / The Washington Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Xi Jinping erdhi në Uashington mes një pompoziteti të jashtëzakonshëm, komplimenteve presidenciale dhe bisedave për “stabilitet strategjik”. Megjithatë, nën ceremoni qëndron një realitet i hekurt: Shtetet e Bashkuara dhe Kina komuniste mbeten kundërshtarë të fuqishëm strategjikë, sepse vizionet e tyre për rendin botëror mbeten në thelb të papajtueshme.
Partia Komuniste e Kinës [PKK] vazhdon ta paraqesë fuqinë amerikane si “hegjemonizëm” që pengon ngritjen e Kinës dhe rendin sinocentrik që ajo parapëlqen. Z. Xi përdori pikërisht këtë gjuhë disa javë para se të mbërrinte në Uashington.
Ndërkohë, ShBA-ja vazhdon të forcojë aleancat, frenimin ushtarak dhe masat e sigurisë ekonomike të cilat janë hartuar, në një masë të konsiderueshme, për t’iu kundërvënë fuqisë globale të Kinës. (Gjyqi i Huawei-t, i akuzuar nga Departamenti i Drejtësisë si organizatë kriminale, filloi në Nju-Jork vetëm disa ditë përpara se z. Xi të zbriste në Bazën Endruz.)
Kjo është arsyeja pse pritja spektakolare e z. Trump për z. Xi nuk duhet të ngatërrohet me zbutje strategjike.
Në Bazën Endruz, të mërkurën, dy bombardues B-1B gjëmuan mbi kokë ndërsa luhej himni kombëtar gjatë ceremonisë së mbërritjes së z. Xi. Të nesërmen, në Shtëpinë e Bardhë, një B-2 Spirit – i njëjti lloj bombarduesi strategjik i përdorur kundër objekteve bërthamore të Iranit – fluturoi sipër, i shoqëruar nga katër F-22 Raptor. Afro 480 pjesëtarë të ushtrisë amerikane morën pjesë në ceremoninë e pritjes.
Ishte mikpritje, sigurisht – por, mikpritje e organizuar përballë një sfondi të pagabueshëm të fuqisë ushtarake, ekonomike dhe teknologjike amerikane.
Simbolika kulturore ishte po aq e jashtëzakonshme.
Darka shtetërore përfshiu muzikë nga Të mjerët, himni revolucionar i së cilës, A e dëgjon popullin duke kënduar? u bë himni i rrugëve i lëvizjes së protestave të Hong-Kongut të viteve 2019-2020. Ajo përfshiu gjithashtu këngën Hëna përfaqëson zemrën time të përjetësuar nga Teresa Teng e Tajvanit.
Teng ishte shumë më tepër sesa këngëtare e muzikës pop. Muzika e saj, dikur e dënuar si “ndotje shpirtërore” në Kinën komuniste, transmetohej nga Tajvani drejt territorit kontinental dhe u bë simbol kulturor i Luftës së Ftohtë i një bote kineze përtej sundimit të Pekinit. Teng refuzoi ftesat për të interpretuar në Kinën komuniste dhe mbështeti publikisht protestuesit e Tiananmenit të vitit 1989.
Pak zgjedhje muzikore mund të kishin mbartur më shumë ironi historike në një darkë në Shtëpinë e Bardhë për nder të udhëheqësit suprem të PKK-së.
Edhe Lulja e jaseminit, e interpretuar gjatë vizitës shtetërore, nuk ishte ndonjë himn komunist. Është melodi e vjetër popullore kineze, që i paraprin sundimit komunist me shekuj dhe që është përfshirë në mënyrë të famshme në Turandot të Puccinit.
Dallimi ka rëndësi: Kina është më e vjetër dhe më e madhe se PKK-ja.
Simbolika vazhdoi në Arkivat Kombëtare. Z. Trump e çoi sundimtarin e një partie leniniste për të parë Deklaratën e Pavarësisë, Kushtetutën dhe Kartën e të Drejtave të Amerikës – themelet dokumentare të qeverisjes së kufizuar, lirisë individuale dhe sovranitetit popullor.
Pastaj është Traktati i Paqes i San Franciskos i vitit 1951, dokument të cilin Pekini do të parapëlqente që bota ta kujtonte ndryshe. Japonia hoqi dorë nga “çdo e drejtë, titull dhe pretendim” mbi Tajvanin dhe Ishujt e Peskadorit, pa ia transferuar sovranitetin mbi ta Kinës.
Pekini prej kohësh e ka kundërshtuar legjitimitetin e traktatit. Cilido qoftë interpretimi për statusin përfundimtar juridik të Tajvanit, traktati e ndërlikon këmbënguljen e PKK-së se sovraniteti kinez mbi Tajvanin është fakt historik i përcaktuar ndërkombëtarisht. Nuk është.
Vetë Tajvani solli një tjetër kontrast domethënës. Z. Xi i bëri presion z. Trump të shkonte përtej formulimit tradicional amerikan të “mosmbështetjes” së pavarësisë së Tajvanit dhe ta kundërshtonte atë shprehimisht. Z. Trump nuk bëri asnjë lëshim të shpallur publikisht.
Pastaj ishte gjuha krejtësisht e ndryshme e përdorur nga të dyja palët.
Z. Xi ofroi abstraksionet e zakonshme: bashkëjetesë paqësore dhe premtimin e përhershëm, jo të sinqertë, për marrëdhënie “ku fitojnë të dyja palët”. Uashingtoni foli gjithnjë e më shumë me gjuhën e shifrave, afateve dhe zbatimit: zgjatje të armëpushimit tregtar deri më 10 janar 2027; të paktën 17 miliardë dollarë në vit blerje të produkteve bujqësore amerikane; rikthim të qasjes në treg për mishin e viçit dhe shpendët amerikanë; 10 milionë tonë metrikë qymyr amerikan si në vitin 2027, ashtu edhe në vitin 2028; trajtim tarifor për mallra me vlerë 30 miliardë dollarë në secilin drejtim; dhe, furnizim konkret me elemente të rralla dhe minerale kritike.
Megjithatë, Uashingtoni nuk duhet t’i ngatërrojë kurrë premtimet me zbatimin. Angazhimet e mëparshme mbeten të papërmbushura, përfshirë blerjet kineze të aeroplanëve Boeing dhe të produkteve bujqësore amerikane.
Nga samiti i Uashingtonit nuk doli ndonjë marrëveshje e madhe strategjike. Dy udhëheqësit, në thelb, ranë dakord të vazhdonin të bisedonin.
Atë javë pati edhe një mesazh tjetër të rëndësishëm dhe ai i drejtohej Japonisë.
Ndërsa marrëdhëniet ShBA-Kinë siguruan teatrin diplomatik, z. Trump përforcoi në mënyrë të dukshme aleancën e Amerikës me Tokion, të bazuar në traktat. Dy ditë para takimit me z. Xi, presidenti amerikan zhvilloi një takim shumë të dukshëm me kryeministren Sanae Takaichi në Kombet e Bashkuara. Ata diskutuan për Kinën, bashkëpunimin në inteligjencën artificiale, gjysmëpërçuesit dhe mineralet kritike, frenimin, Quad-in dhe një Indo-Paqësor të lirë e të hapur.
Sapo z. Xi ishte nisur për në shtëpi, znj. Takaichi mori drejtpërdrejt nga “I dashur Donald” një informim të hollësishëm për samitin.
Pamja më e gjerë vështirë se mund t’i ketë shpëtuar z. Xi: Kina merr pompozitet presidencial, ndërsa Japonia mbetet aleatja kryesore e Amerikës në Indo-Paqësor dhe gurthemeli i fuqisë dhe ndikimit të Amerikës në rajon.
Stabiliteti strategjik kërkon durim strategjik – dhe dinakëri. Z. Trump ka kaluar një jetë të tërë duke negociuar në botë të ashpra, nga pasuritë e paluajtshme të Nju-Jorkut te kazinotë dhe argëtimi. Ai e kupton se përzemërsia dhe shfaqjet e pushtetit e të forcës nuk janë sinonime.
Amerikës tani i duhen si karota, ashtu edhe shkopi.
Z. Trump mund të luajë rolin diplomatik të “policit të mirë”, duke e mbajtur të hapur komunikimin mes udhëheqësve dhe duke ofruar shpërblime për përmbushjen e matshme të detyrimeve nga Kina. Megjithatë, administrata e tij përmban edhe zyrtarë – si Marco Rubio dhe Pete Hegseth – që mund të luajnë rolin më të ashpër kur Pekini nuk i përmbush zotimet.
Kina ka mjete presioni, veçanërisht në elementet e rralla dhe mineralet kritike, por varësia funksionon në të dyja drejtimet dhe në mënyrë asimetrike. Kina mbetet jashtëzakonisht e varur nga konsumatorët amerikanë, teknologjitë e përparuara, fuqia financiare dhe një sistem ekonomik global e aleancash në të cilin ShBA-ja ende ushtron ndikim të jashtëzakonshëm.
Uashingtoni ka shumë më tepër mjete presioni sesa përfytyrojnë pesimistët e tij të zakonshëm. Pyetja është nëse është i gatshëm t’i përdorë.
Mesazhi i samitit nuk ishte zbutja ndaj Kinës. As miqësia. Ishte diçka më delikate dhe potencialisht më efektive: Jepja një buzëqeshje z. Xi. Tregoja Kushtetutën. Këndoje Teresa Tengun dhe Puccinin. Fluturoja aeroplanët B-1B-të dhe B-2 sipër. Kërko data, sasi dhe përmbushje të detyrimeve. Dhe, mbaje shkopin pranë vetes. /Telegrafi/