Presidenti amerikan, Donald Trump ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve të mesmandatit, në të cilat republikanët po përballen me humbje, duke theksuar se emri i tij nuk ishte në fletëvotim.
Trumpi, i cili deri më tani ka qenë jashtëzakonisht i heshtur në rrjetet sociale, ka publikuar një mesazh në platformën Truth Social, teksa po publikohen rezultatet e zgjedhjeve.
“Unë nuk isha kandidat në këto zgjedhje”, është shprehur lideri amerikan.
Deklarata e tij vjen pas disa muajsh fushatë, gjatë së cilës Trumpi u kishte bërë vazhdimisht thirrje votuesve që zgjedhjet e mesmandatit t’i konsideronin si një votëbesim për presidencën e tij.
Gjatë udhëtimeve nëpër SHBA, ku zhvilloi fushatë në mbështetje të kandidatëve republikanë, Trumpi shpesh u kërkonte qytetarëve të imagjinonin sikur edhe emri i tij të ishte në fletëvotim.
Megjithatë, rezultatet e zgjedhjeve pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në raportet e forcave në Kongres dhe në pjesën e mbetur të mandatit të tij presidencial.
Pavarësisht humbjes së kontrollit të njërës prej dhomave të Kongresit, Trumpi do të mbetet në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, demokratët do të kenë një mundësi shumë më të madhe për të mbikëqyrur administratën e tij dhe për ta vënë atë nën presion politik, në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2028. /Telegrafi/

