Inteligjenca artificiale mund të jetë shumë në modë për momentin, por bombat atomike ende mund të ta prishin ditën.
Nga: John Bolton / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Fatmirësisht, takimi i javës së kaluar mes Xi Jinpingut, Vladimir Putinit dhe Donald Trumpit ishte në thelb pa përmbajtje. Trumpi donte një mundësi për fotografi me dy nga miqtë e tij më të mirë mes udhëheqësve të botës dhe pikërisht këtë mori.
Xi dhe Putini fituan duke dalë nga takimi më të fortë se më parë. Xi e kryesoi takimin, në Kinë, i ulur në vendin qendror, dhe nuk diskutoi asgjë që nuk dëshironte, si arsenalin në rritje të armëve bërthamore të Kinës. Putini përfitoi duke rehabilituar veten dhe duke i shpëtuar izolimit të imponuar që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.
Shenzheni nuk ishte Jaltë. As nuk arrinte nivelin e një takimi të pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, sepse Britania dhe Franca nuk ishin ftuar. “Tre të mëdhenjtë” u pajtuan të reformonin Kombet e Bashkuara, të rrisnin prodhimin e naftës, ta shpërfillnin Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe të mos zhvillonin luftë bërthamore. Toka nuk u tund.
Më e mira nga të gjitha, tre udhëheqësit cituan një nga thëniet e parapëlqyera të Ronald Reaganit, të shqiptuar për herë të parë në prill 1982, në mos edhe më herët: “Lufta bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë”. Fantazmat e Churchillit, Stalinit dhe Rooseveltit mund të pushojnë të qeta, vendet e tyre në histori mbeten ende të sigurta.
Asgjë nga kjo nuk do të thotë se takimi ishte pa pasoja, veçanërisht duke pasur parasysh takimet dypalëshe që të tre zhvilluan veçmas në Shenzhen.
Teksa Trumpi po fluturonte përsëri drejt Shteteve të Bashkuara, ai i telefonoi “koalicionit të të gatshmëve” evropianë në Berlin, për t’u thënë se Putini dëshironte vërtet paqe në Ukrainë dhe vuri në pikëpyetje nëse aleatët duhej ta furnizonin Kievin me kaq shumë ndihmë ushtarake. Këto janë me siguri “pikat e bisedës” të parapëlqyera të Putinit, të përcjella me besnikëri nga Trumpi tek evropianët, siç ka bërë edhe më parë.
Trumpi beson se Rusia nuk do ta kishte pushtuar Ukrainën po të kishte qenë ai president në atë kohë – një pikëpamje të cilën e përsëriti në konferencën e tij për shtyp pas samitit. Shenzheni ishte takimi i parë Putin-Trump që nga takimi i tyre në Alaskë më 2025. Nga të gjitha dëshmitë e qasshme, aftësia e Putinit për të ndikuar te Trumpi për Ukrainën mbetet e pandryshuar.
Një çështje urgjente që ende mbetet e paqartë është nëse Trumpi po e shqyrton lehtësimin e mëtejshëm të sanksioneve ndaj Rusisë përkitazi me naftën. Nëse ky ishte kuptimi i fshehtë i komunikatës trepalëshe, Ukrainën dhe mbështetësit e saj i presin para telashet.
Një tjetër pasojë e mundshme për Ukrainën ishte përmendja nga të tre udhëheqësit se vendet e tyre ishin aleate kundër fashizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Meqë Putini e ka përshkruar vazhdimisht agresionin e Rusisë kundër Ukrainës si një luftë antifashiste, Kremlini mund të nxjerrë fitore të tjera propagandistike nga Shenzheni.
Japonia ka arsye për t’u shqetësuar. Ndryshe nga Evropa, Japonia është pranë si Rusisë, ashtu edhe pranë Kinës, dhe ka luftuar me të dyja vendet gjatë shekullit XX. Duke i njohur prirjet e Trumpit, Tokio nuk mund të jetë e kënaqur me mundësinë e më shumë takimeve të tilla trepalëshe në të ardhmen.
Kina është fituesja më e madhe për shkak të asaj që nuk u diskutua gjatë – domethënë arsenalit të saj në rritje të armëve bërthamore dhe sistemeve të raketave balistike për dërgimin e tyre.
Edhe pse Pekini ende nuk është i barabartë me Moskën dhe Uashingtonin në lidhje me armët bërthamore, rezerva e tij, që po rritet me shpejtësi, është tashmë dukshëm më e madhe se ajo e të gjitha fuqive më të vogla bërthamore.
Xi nuk ka dëshirë të negociojë marrëveshje për kontrollin e armëve me Amerikën, sepse dëshiron rezerva më të mëdha para se të fillojnë bisedimet. Kina kërkon një ngritje të pakufizuar drejt barazisë, pikë në të cilën mund të zgjedhë të na nderojë me favorin e pranisë së saj në diplomaci.
Duke lënë mënjanë nëse bisedimet e tilla arrijnë ndonjëherë shumë me kundërshtarë autoritarë, në thelb dyfytyrësh, arsenali i shtuar bërthamor i Kinës paraqet një sfidë të rëndë për Shtetet e Bashkuara dhe, më gjerësisht, për Perëndimin.
Gjatë Luftës së Ftohtë, disa nga mendjet më të shkëlqyera të Amerikës u munduan pa fund për strategjinë bërthamore. Sa armë bërthamore na duhen për të vendosur parandalimin, ose për të mbizotëruar nëse parandalimi dështon?
Si i dërgojmë armët bërthamore: me aeroplanë; me raketa me bazë tokësore; me raketa të lëshuara nga nëndetëset; apo me të tria ato? Ku i vendosim kokat tona bërthamore: në vend, jashtë vendit apo në ndonjë kombinim? Cila është strategjia jonë e kontrollit të armëve?
Debatet intelektuale politiko-ushtarake për këto çështje ishin të ngarkuara me rëndësi të jashtëzakonshme. Dhe, që të gjitha bazoheshin në një supozim themelor se ishim të përfshirë në një përballje dypolare bërthamore. Arsenalet e fuqive të tjera, më të vogla bërthamore, ishin të parëndësishme. Në fund, ne dolëm fitimtarë në Luftën e Ftohtë.
Por, ngritja e Kinës bërthamore është krejt diçka tjetër. Kapacitetet në rritje të Kinës po krijojnë një botë bërthamore trepolare, ku të gjitha përllogaritjet e mëparshme dypolare bëhen, në thelb, të parëndësishme.
Përballë dy kundërshtarëve të barabartë, çfarë i duhet Amerikës për të ruajtur parandalimin ndaj të dyve? Po sikur të na kërcënojnë njëkohësisht? Apo njëri pas tjetrit? E kështu me radhë. Ne thjesht nuk jemi të përgatitur për një botë bërthamore trepolare. Pekini e di këtë, po ashtu edhe Moska.
Uashingtoni duhet të ndalojë së shqetësuari për diskutimet bërthamore me Kinën dhe të përqendrohet në atë që Amerika duhet të bëjë për të siguruar mbrojtje të mjaftueshme në vitet e ardhshme. Aleatëve të saj u duhet që kjo të bëhet, në mënyrë që të mund të vazhdojnë të përfitojnë nga parandalimi i zgjeruar i Amerikës.
Inteligjenca artificiale mund të jetë shumë në modë për momentin, por armët bërthamore ende mund të ta prishin ditën. /Telegrafi/

