Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka cilësuar takimin e tij trepalësh në Shenzhen të Kinës me presidentin kinez, Xi Jinping dhe presidentin rus, Vladimir Putin, si “një nga samitet më të rëndësishme ndërkombëtare të shumë viteve të fundit”.
Duke folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë pas kthimit nga udhëtimi i tij në Azi, Trump vlerësoi bisedimet e zhvilluara në margjinat e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).
“Ishte hera e parë ndonjëherë që SHBA-ja, Rusia dhe Kina u takuan në këtë format dhe ishte diçka e madhe. Ishte madhështore. Kishte një energji të jashtëzakonshme. Dhe marrëdhënia mes ne të treve ishte fantastike”, tha ai.
Trump tha se liderët “diskutuan gjerësisht për garantimin që Irani të mos ketë kurrë armë bërthamore”, si dhe për Gadishullin Korean dhe luftën në Ukrainë.
Në një “Deklaratë drejt Paqes” të përbashkët, të publikuar nga Shtëpia e Bardhë, të tre liderët riafirmuan se “një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë”, si dhe u zotuan që vendet e tyre “do të zhvillojnë dialog për uljen e rreziqeve bërthamore dhe parandalimin e përhapjes së armëve bërthamore”.
Në deklaratë thuhet se të tre vendet, të cilat janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, gjithashtu u zotuan të “reformojnë OKB-në”, ndërsa paralajmëruan se Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe organet e ngjashme “nuk duhet të keqpërdorin juridiksionin e tyre”.
Liderët paraqitën gjithashtu plane për rritjen e prodhimit dhe furnizimit me produkte të rafinuara të naftës dhe riafirmuan “rëndësinë e flukseve të qëndrueshme të energjisë”. /AA/

