Presidenti amerikan, Donald Trump, pritet të takohet këtë të hënën në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, në përpjekje për të avancuar negociatat për përfundimin e konfliktit me Iranin.
Katari ka luajtur rol të rëndësishëm si ndërmjetës mes Uashingtonit dhe Teheranit, duke përcjellë propozime dhe duke tentuar të afrojë qëndrimet për programin bërthamor iranian dhe kushtet për përfundimin e luftës.
Megjithatë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se negociatat kanë shënuar pak përparim dhe se një marrëveshje e afërt nuk duket në horizont, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Nga ana tjetër, Trump ka thënë se ka pak gjasa të urdhërojë sulme të reja ndaj Iranit nëse bisedimet prodhojnë një marrëveshje të qëndrueshme. Megjithatë, ai paralajmëroi se ushtria amerikane ka identifikuar objektiva të tjera infrastrukturore, përfshirë ura, në rast të rifillimit të operacioneve ushtarake.
Takimi me kryeministrin e Katarit zhvillohet në një moment kur përpjekjet diplomatike për t'i dhënë fund konfliktit mbeten të pasigurta.

