Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka propozuar Mikhail Bogachek, nga Florida, për pozitën e ambasadorit të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të SHBA-së në Republikën e Kosovës.
Emri i Bogachek është përfshirë në listën e nominimeve presidenciale që Shtëpia e Bardhë ia ka dërguar Senatit amerikan më 9 nëntor 2026, për shqyrtimin dhe miratimin e kandidaturave për pozita të ndryshme në administratën amerikane dhe përfaqësitë diplomatike.
“Mikhail Bogachek, nga Florida, të jetë Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin zyrtar të Shtëpisë së Bardhë.
Megjithatë, nominimi i tij duhet të kalojë nëpër procedurat e shqyrtimit dhe konfirmimit në Senatin amerikan, përpara se të marrë zyrtarisht detyrën e ambasadorit.
Kosova është pa ambasador të emëruar të SHBA-së që nga dhjetori i vitit 2024, kur Jeff Hovenier përfundoi misionin e tij diplomatik në Prishtinë.
Që nga largimi i tij, Ambasada Amerikane në Kosovë është udhëhequr nga të ngarkuarit me punë.
Nëse konfirmohet nga Senati, Bogachek do të jetë ambasadori i ri amerikan në Kosovë, pas gati dy vjetësh pa një përfaqësues të emëruar diplomatik të SHBA-së në Prishtinë.
Njoftimi zyrtar për nominimin është publikuar në faqen e Shtëpisë së Bardhë: Nominations and Withdrawals Sent to the Senate – November 9, 2026.

