Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se kompania gjermane Audi do të ndërtojë një fabrikë automobilash në Xhorxhia, në kuadër të përpjekjeve të tij për të forcuar prodhimin industrial në SHBA.
Gjatë një tubimi elektoral në Perry, Xhorxhia, Trump tha se Audi, markë luksoze në pronësi të Volkswagen, do të investojë 4.2 miliardë dollarë në zonën e Macon, me synimin për të prodhuar 200 mijë automjete në vit.
Ai ia atribuoi vendimin politikës së tij tarifore.
Sipas njoftimit të kompanisë, fabrika e parë e Audi në Xhorxhia pritet të krijojë rreth 4,500 vende pune.
Ndërtimi është planifikuar të nisë në vitin 2027, ndërsa prodhimi në fillim të viteve 2030.
Kryetari i bordit drejtues të Audi, Gernot Döllner, i cili iu bashkua Trumpit në skenë, tha se fabrika do të prodhojë SUV-të më të mëdha dhe më luksoze të kompanisë.
Njoftimi vjen në një moment të rëndësishëm për republikanët, të cilët përpiqen të ruajnë shumicat në Kongres në zgjedhjet e 3 nëntorit, mes pakënaqësisë së votuesve për kostot e larta dhe luftën e vazhdueshme në Iran.
Kandidati republikan për guvernator të Xhorxhias, Rick Jackson, e falënderoi Trumpin, duke e cilësuar investimin si një marrëveshje të rëndësishme ekonomike për shtetin. /Telegrafi/

