Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka mbrojtur kreun e FIFA-s, Gianni Infantino, duke thënë se shkarkimi i tij do të ishte një “gabim i tmerrshëm”. Pozicioni i Infantinos është vënë në pikëpyetje pasi plani i tij për të shitur një pjesë të aksioneve në Kupën e Botës te investitorë privatë dështoi.
Trump shkroi në rrjetin e tij social Truth Social dhe vlerësoi se shkarkimi i presidentit të FIFA-s do të ishte një veprim i kushtueshëm. “FIFA do të bënte një gabim të tmerrshëm nëse do të merrte në konsideratë një zëvendësim për Presidentin Gianni Infantino për çfarëdo arsye”, shkroi presidenti i SHBA-së.
“Ai është fantastik dhe sapo ka udhëhequr Kupën e Botës më të suksesshme të të gjitha kohërave, katër herë më të suksesshme se çdo tjetër më parë. Nëse ai largohet, gara nuk do të jetë më kurrë aq e suksesshme apo fitimprurëse!”, tha Trump.
Revolta e Konfederatave të Futbollit
Ndërkohë, UEFA dhe dy konfederata të tjera zhvilluan bisedime fillestare mbi organizimin e garave të tyre në përgjigje të lëvizjeve të presidentit të FIFA-s. Shoqata Evropiane e Futbollit (UEFA), Konfederata Aziatike e Futbollit (AFC) dhe CONCACAF, e cila qeveris futbollin në Amerikën e Veriut dhe Qendrore dhe Karaibe, akuzuan Infantinon për “mashtrim”.
Sipas informacioneve të disponueshme, ata duan t’i japin atij mundësinë të japë dorëheqjen dhe të tërhiqet me nder nga detyra, pa një kandidaturë të re në mars të vitit të ardhshëm. Me këtë veprim, ata duan të sigurohen kundër thellimit të krizës. UEFA kohët e fundit kërcënoi të bojkotojë garat e FIFA-s.
Një plan i diskutueshëm dhe një letër e hapur
Infantino kërkoi falje për propozimin për të krijuar një kompani të quajtur FIFA Forëard Enterprise (FFE). Kompania do të menaxhonte çështjet tregtare dhe operacionale të turneve të FIFA-s, dhe plani përfshinte shitjen e rreth 20 përqind të aksioneve te investitorët privatë.
Pavarësisht kërkim-faljes, krerët e UEFA-s, AFC-së dhe CONCACAF-it nënshkruan një letër të hapur duke i kërkuar FIFA-s të kryejë një shqyrtim të pavarur të planit të Infantinos, megjithëse ai nuk përmendet drejtpërdrejt në tekst.
“Menaxhimi i futbollit nuk është pronë private. Nuk ka të bëjë me zotërimin ose kërkimin e pushtetit. Është detyrë për t’i shërbyer familjes së futbollit që i ka besuar. Kur ky besim tradhtohet nga mashtrimi, kur një individ e vendos veten mbi kolektivin që i ka dhënë autoritet, kjo detyrë braktiset”, thuhet në letër. /Telegrafi/
