Ministria amerikane e Energjisë njoftoi të premten se 13.5 kilogramë uranium shumë të pasuruar janë larguar nga Venezuela, në një operacion të përbashkët të SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Venezuelës.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, uraniumi pas një operacioni kompleks dhe të ndjeshëm është transportuar në mënyrë të sigurt me rrugë tokësore dhe detare nga Amerika e Jugut në Amerikën e Veriut. Materiali më pas është dërguar në kompleksin e Ministrisë amerikane të Energjisë në Karolinën e Jugut, pasi u largua nga një objekt që ndodhet 15 kilometra larg Karakasit.
Ministria amerikane e përshkroi operacionin si një fitore për SHBA-në, Venezuelën dhe botën. Brandon Williams, administrator i Administratës Kombëtare për Sigurinë Bërthamore pranë kësaj ministrie, tha se largimi i sigurt i të gjithë uraniumit të pasuruar nga Venezuela i dërgon botës një tjetër sinjal për një Venezuelë të rilindur dhe të ringjallur.
Ky veprim vjen në një kohë kur Shtëpia e Bardhë ka rilidhur marrëdhëniet me kundërshtarët e kahershëm në Karakas, shkruan theguardian.
Pas vendimit kontrovers të presidentit amerikan, Donald Trumpit më 3 janar për të urdhëruar arrestimin e presidentit venezuelian, Nicolas Maduro, Uashingtoni njohu zëvendëspresidenten Delcy Rodríguez dhe nisi hapjen e vendit për kompanitë amerikane të energjisë dhe minierave.
Ndërkohë, në Venezuelë kanë arritur disa zyrtarë të lartë amerikanë, mes tyre edhe drejtori i CIA-s, John Ratcliffe. Në fund të muajit të kaluar në këtë shtet të Amerikës së Jugut ateroi edhe fluturimi i parë komercial amerikan pas më shumë se shtatë vitesh, ndërsa ambasada amerikane së fundmi është rihapur.
Një nga objektivat kryesore të Trumpit pas luftës së shkurtit me Iranin ishte që ta detyronte Teheranin të dorëzonte rreth 408 kilogramë uranium shumë të pasuruar, por këto përpjekje deri tani nuk kanë dhënë rezultat. /Telegrafi/