Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur optimizëm për arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, duke thënë se një marrëveshje mund të jetë afër, në prag të samitit të G20-ës në dhjetor, i cili do të mbahet në resortin e tij “Trump National Doral” në Florida.
Duke folur në një intervistë me komentatorin konservator Benny Johnson, të publikuar të shtunën, Trump tha se ekziston një “mundësi shumë e mirë” për zgjidhjen e konfliktit, duke iu referuar mundësisë së arritjes së një marrëveshjeje mes dy liderëve.
“Besoj se jemi shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje atje”, tha Trump, duke pranuar armiqësinë e thellë mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
I pyetur lidhur me raportimet për një marrëveshje të mundshme mes Rusisë dhe Ukrainës në samitin e G20-ës, Trump nuk e përjashtoi këtë mundësi, duke shprehur besimin se negociatat mund të sjellin përparim të rëndësishëm.
“Besoj se ekziston një mundësi shumë e mirë që ta zgjidhim këtë çështje. Gjithashtu, po punojmë për shumë marrëveshje të tjera”, tha ai.
Trump foli edhe për Iranin, duke thënë se SHBA-ja është e vendosur ta pengojë këtë vend që të sigurojë armë bërthamore. Ai pretendoi se kapacitetet ushtarake të Iranit janë dobësuar rëndë, duke shtuar se Washingtoni do ta “përfundojë atë çështje”.
Duke folur për Kubën, Trump parashikoi se udhëheqja komuniste e vendit nuk do të qëndrojë gjatë në pushtet, duke lënë të kuptohet se Washingtoni mund ta drejtojë vëmendjen nga ishulli pas Venezuelës.
“Është një vend i dështuar. Shumë shpejt do t’i kthejmë njerëzit atje”, tha ai, duke shtuar se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, po e ndjek nga afër situatën. /abcnews

