Presidenti amerikan Donald Trump ka parashikuar se lufta me Iranin do të përfundojë “menjëherë pas” zgjedhjeve afatmesme amerikane në nëntor, duke pretenduar se Teherani po përpiqet të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve, por nuk do të jetë në gjendje t’i rezistojë më gjatë presionit ekonomik të SHBA-së.
“Unë mendoj se lufta do të përfundojë menjëherë pas zgjedhjeve, sepse ata nuk mund të rezistojnë më. Ata janë të dëshpëruar dhe po përpiqen të ndikojnë në zgjedhje”, deklaroi Trump të mërkurën para se të nisej drejt Dallasit për Konventën Kombëtare Republikane.
Lufta mes SHBA-së dhe Iranit tashmë ka hyrë në muajin e shtatë, ndërsa deri tani nuk ka shenja të qarta për një përfundim të afërt të konfliktit, transmeton Telegrafi.
Tensionet janë përshkallëzuar sërish të mërkurën, kur Irani tha se kishte sulmuar 10 anije pranë Ngushticës së Hormuzit, pasi SHBA-ja kishte fundosur pesë cisterna iraniane të naftës.
Rifillimi i luftimeve shkaktoi gjithashtu tronditje në tregjet energjetike, duke bërë që çmimi i naftës të rritej ndjeshëm. Kontratat e së ardhmes për naftën Brent kaluan mbi 100 dollarë për fuçi, për herë të parë që nga korriku.
Deklaratat e Trumpit vijnë në një periudhë të vështirë për presidentin amerikan, pasi normat e tij të miratimit kanë rënë në nivelin më të ulët të regjistruar, mes pakënaqësisë së votuesve për luftën me Iranin dhe krizës në rritje të kostos së jetesës.
Zgjedhjet afatmesme në SHBA do të mbahen më 3 nëntor dhe tradicionalisht konsiderohen si një lloj referendumi politik për presidentin në detyrë dhe administratën e tij.
Trump tha gjithashtu se çmimet e naftës do të bien menjëherë pas zgjedhjeve, pasi, sipas tij, përfundimi i luftës do të largojë presionin mbi tregjet energjetike.
Megjithatë, presidenti amerikan pranoi se një zgjidhje diplomatike përmes negociatave mbetet e mundshme, edhe pse ai e bëri të qartë se kjo nuk është rruga që administrata e tij po preferon aktualisht.
“Po, një negociatë mund të ndodhë, por nuk është diçka që po e shqyrtojmë”, tha Trump. /Telegrafi/