KORREKT / SOT13 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Bota

Trump lë të kuptohet për një takim të mundshëm me Kim të Koresë së Veriut gjatë turneut në Azi

Trump lë të kuptohet për një takim të mundshëm me Kim të Koresë së Veriut gjatë turneut në Azi

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se mund të takohet me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, gjatë udhëtimit të tij të planifikuar në Azi.

“Mundem, po. Do të ishte interesante, apo jo? Por unë kam marrëdhënie të mira me të”, tha ai, duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë të hënën.

Një takim i tillë do të shënonte një kapitull të ri të mundshëm në përpjekjet e Trumpit për të bashkëvepruar drejtpërdrejt me Kimin – me të cilin zhvilloi disa takime historike gjatë mandatit të tij të parë presidencial, ndërsa të dy liderët përpiqeshin të trajtonin çështjen e programit të armëve bërthamore të Koresë së Veriut.

Trump do të udhëtojë drejt Filipineve për samitin e Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) më 16 nëntor dhe më pas do të shkojë në Shenzhen të Kinës për samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), që mbahet nga 17 deri më 19 nëntor.

Trump dhe Kim Jong-un u takuan për herë të parë më 12 qershor 2018, në samitin e Singaporit.

Takimi historik u zhvillua në hotelin “Capella” në ishullin Sentosa dhe shënoi takimin e parë ndonjëherë midis një presidenti amerikan në detyrë dhe një lideri të Koresë së Veriut.

Dy liderët shtrënguan duart, zhvilluan bisedime private dhe nënshkruan një deklaratë të përbashkët, duke u zotuar se do të punonin për denuklearizimin e plotë të Gadishullit Korean, vendosjen e marrëdhënieve të reja SHBA-Kore e Veriut dhe krijimin e një regjimi paqeje të qëndrueshme.

Samiti pasoi muaj të tërë tensionesh të larta, testesh raketore dhe kërcënimesh publike gjatë vitit 2017, përpara se të dyja palët të binin dakord për bisedime të drejtpërdrejta në fillim të vitit 2018.

Ai nuk prodhoi ndonjë marrëveshje detyruese për denuklearizimin, por u cilësua gjerësisht si një hap i rëndësishëm përpara në diplomacinë personale, që çoi në dy takime të tjera në vitin 2019.

Në shkurt të vitit 2019, Trump dhe Kim zhvilluan samitin e tyre të dytë në Hanoi të Vietnamit, por bisedimet dështuan papritur pasi dy liderët nuk arritën të kapërcenin mosmarrëveshjet lidhur me lehtësimin e sanksioneve dhe programin bërthamor të Koresë së Veriut.

Katër muaj më vonë, më 30 qershor 2019, ata u takuan për herë të tretë në Zonën e Çmilitarizuar (DMZ) në Panmunjom, ku Trump shkeli për pak çaste në territorin e Koresë së Veriut — duke u bërë presidenti i parë amerikan në detyrë që e bënte një gjë të tillë — dhe të dy palët ranë dakord të rinisnin negociatat e ngecura.

Deklarata e fundit e Trump vjen një ditë pasi Koreja e Veriut lëshoi disa raketa balistike drejt Detit Lindor.

Ushtria e Koresë së Jugut konfirmoi se lëshimi dukej si një përgjigje ndaj testimit të suksesshëm, javën e kaluar, të një mjeti fluturues hipersonik nga ana e Koresë së Jugut.

Shefat e Shtabit të Përbashkët (JCS) të Koresë së Jugut identifikuan se lëshimet e raketave kishin origjinë nga rajoni i Phenianit. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.