Presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar ndjeshëm retorikën ndaj Iranit, duke deklaruar se nuk është i interesuar për një marrëveshje të re paqeje me Teheranin, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë sulme të reja ndaj objektivave iraniane pranë Ngushticës së Hormuzit.
Në një postim në Truth Social, Trump tha se nuk i intereson nëse Irani nënshkruan një marrëveshje, duke e cilësuar një marrëveshje të tillë si të pavlefshme. Sipas tij, pozita e Shteteve të Bashkuara është aktualisht shumë më e favorshme.
“Na pëlqen shumë më tepër pozicioni ynë tani, me kontroll pothuajse të plotë mbi Ngushticën e Hormuzit dhe ekonominë e tyre që po shembet”, shkroi Trump.
Më pas, ai shtoi: “Ata thjesht po përjetojnë të pashmangshmen”, transmeton Telegrafi.
Deklaratat vijnë pas një vale të re sulmesh amerikane ndaj Iranit. Komanda Qendrore e SHBA-së, CENTCOM, tha se sulmet kishin për qëllim objektivat e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike dhe erdhën pas përpjekjeve të Iranit për të sulmuar anije tregtare në Ngushticën e Hormuzit dhe forcat amerikane të dislokuara në rajon.
Sipas zyrtarëve amerikanë të cituar nga Axios, dy cisterna në pronësi të qeverisë iraniane u goditën gjithashtu gjatë operacionit, duke shënuar një përshkallëzim të rëndësishëm në strategjinë amerikane ndaj Teheranit.
Trump kishte paralajmëruar më herët se nëse Irani do të hakmerrej ndaj sulmeve amerikane, përgjigjja e Uashingtonit do të ishte edhe më e ashpër.
Në të njëjtën kohë, Irani ka ndërmarrë sulme hakmarrëse ndaj objektivave amerikane dhe aleatëve të Washingtonit në rajon, duke rritur frikën se përplasja mund të zgjerohet më tej në Lindjen e Mesme.
Ngushtica e Hormuzit është bërë pika kryesore e përplasjes. Rreth 20% e tregtisë globale të naftës kalon normalisht përmes kësaj rruge strategjike, ndërsa trafiku detar është ulur ndjeshëm që nga përshkallëzimi i konfliktit.
Të dhënat e fundit tregojnë se vetëm katër anije transportuese të mallrave kaluan nëpër ngushticë të martën, shumë më pak se mesatarja e ditëve të fundit.
Ndërkohë, perspektiva për një rikthim të shpejtë në tryezën e negociatave duket gjithnjë e më e largët. Trump po sinjalizon se presioni ushtarak dhe ekonomik do të vazhdojë, ndërsa Irani ka premtuar kundërpërgjigje ndaj sulmeve amerikane.
Përplasja mes Washingtonit dhe Teheranit po hyn kështu në një fazë edhe më të rrezikshme, ku Ngushtica e Hormuzit, nafta dhe kërcënimi i një konflikti të gjerë rajonal janë bërë qendra e krizës. /Telegrafi/
