Presidenti Donald Trump pranoi dy qese me McDonald’s në Zyrën Ovale të hënën nga një shofere e DoorDash, së cilët i la 100 dollarë bakshish.
Me këtë, vlerësojnë mediat botërore, përcjell Telegrafi, Trump përdori ushqimin e tij të preferuar dhe një shfaqje televizive për të promovuar një politikë tatimore që ai thotë se ka sjellë zbritje të mëdha për amerikanët që fitojnë bakshishe.
Siç bëhet e ditur më tej, Sharon Simmons, e veshur me një bluzë me mbishkrimin “DoorDash Grandma”, iu afrua derës së jashtme të Zyrës Ovale dhe trokiti ndërsa kamerat e medias ndizeshin.
Trump doli jashtë dhe tha: “Përshëndetje. Më vjen mirë që ju shoh”, përpara se të shtonte: “Shikojeni këtë!” dhe pastaj, duke hedhur një vështrim drejt një grupi gazetarësh aty pranë, tha: “Kjo nuk duket e inskenuar, apo jo?”.
Por siç theksojnë mediat, sigurisht që ishte.
– YouTube www.youtube.com
Të hysh vetëm në ambientet e Shtëpisë së Bardhë kërkon marrjen e lejes paraprake dhe kalimin nëpër siguri, ndërsa hyrja në Zyrën Ovale – për të mos përmendur afrimin kaq të madh me presidentin – do të kishte qenë e pamundur pa kontrolle shtesë dhe verifikime të së kaluarës.
Megjithatë, Shtëpia e Bardhë është përpjekur të tërheqë më shumë vëmendje ndaj një pjese të paketës së taksave dhe shpenzimeve të mbështetur nga Trump, të miratuar verën e kaluar, që u lejon amerikanëve të zbresin përkohësisht disa taksa federale nga të ardhurat e fituara nga bakshishet.
Kjo u lejon disa punonjësve të zbresin deri në 25,000 dollarë, por hiqet gradualisht për ata me të ardhura më të larta.
Dhe zyrtarët po intensifikojnë përpjekjet e publicitetit përpara Ditës së Taksave të mërkurën – edhe pse çështja është lënë në hije për javë të tëra nga lufta në Iran që ka rritur çmimet e benzinës dhe ka goditur tregjet financiare. /Telegrafi/