Presidenti amerikan, Donald Trump, ka emëruar Katie Zacharian në postin e zëdhënëses së re të Shtëpisë së Bardhë, duke e cilësuar atë si një mbështetëse të përkushtuar të lëvizjes së tij politike MAGA.
Zacharia, 42 vjeçe, do të jetë zëdhënësja e 37-të e Shtëpisë së Bardhë. Ajo më parë ka shërbyer si këshilltare e lartë për komunikim në kompaninë Trump Media & Technology Group, e cila qëndron pas rrjetit social Truth Social.
Trump e bëri vetë të ditur emërimin, duke theksuar se Zacharia kishte punuar në fushatat e tij zgjedhore dhe e kishte mbështetur që nga fillimi i karrierës së tij politike.
“Ajo është një përkrahëse e vendosur e lëvizjes MAGA dhe pjesëmarrëse aktive!”, shkroi presidenti amerikan.
Para se të merrte këtë detyrë, Zacharia kishte punuar në Departamentin amerikan të Sigurisë Kombëtare. Ajo gjithashtu është paraqitur rregullisht si komentatore në televizionet Fox News dhe Newsmax, ku ka diskutuar zhvillimet politike në Shtetet e Bashkuara.
Pas njoftimit për emërimin, Zacharia e falënderoi Trumpin për besimin e dhënë dhe u zotua të bashkëpunojë me ekipin e komunikimit të Shtëpisë së Bardhë dhe gazetarët në mbarë vendin.
Ajo tha se synon t’i informojë qytetarët amerikanë për arritjet e administratës Trump.
Emërimi i saj vjen në kuadër të ekipit të komunikimit të presidentit amerikan, i cili ka rol kyç në përcjelljen e qëndrimeve dhe politikave të administratës te publiku dhe mediat. /Telegrafi/