Tri raste të dhunës në familje janë raportuar brenda një dite në Prishtinë, ku viktima dyshohet se kanë qenë dy gra, një vajzë e mitur dhe një bashkëshorte. Për dy nga rastet, Policia e Kosovës ka arrestuar personat e dyshuar.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rastet kanë ndodhur më 10 nëntor 2026, raporton lajmi.net
Në rastin e parë, një burrë është arrestuar nën dyshimin se në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj nënës dhe motrës së tij.
Pas inicimit të rastit dhe konsultimit me prokurorin, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 24 orë.
Ndërkohë, një tjetër rast i dhunës në familje është raportuar po në Prishtinë, rreth orës 20:05.
Sipas Policisë, një burrë dyshohet se në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij.
I dyshuari është arrestuar dhe, pas konsultimit me prokurorin, është dërguar në mbajtje.
Rasti i tretë është raportuar në orën 22:10, ku viktimë dyshohet të jetë një vajzë e mitur.
Sipas raportit policor, e mitura dyshohet se ka pësuar dhunë psikike nga prindërit e saj.
Lidhur me këtë rast, me urdhër të prokurorit, është vendosur që procedurat të vazhdojnë në procedurë të rregullt.
Të tri rastet janë regjistruar nga Policia e Kosovës si raste të dhunës në familje./Lajmi.net/

