Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka thënë se ngadalësimi i reformave të Bashkimit Evropian gjatë periudhës së përfshirë në Raportin e Progresit lidhet drejtpërdrejt me bllokadën politike dhe jostabilitetin institucional
Duke folur në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, të thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) për të diskutuar Raportin e Progresit, Konjufca ka thënë se periudha nga shtatori 2025 deri në shtator 2026 është karakterizuar nga tri palë zgjedhje, dy prej tyre të parakohshme, si dhe nga një bllokadë institucionale.
Ai ka theksuar se Kuvendi ka qenë jofunksional për pjesën më të madhe të kësaj periudhe, ndërsa Qeveria ka qenë në detyrë.
“Raporti mbulon nga shtatori 2025 deri në shtator 2026 dhe gjatë kësaj periudhe kemi pasur tri palë zgjedhje, dy palë të parakohshme dhe një palë komunale. Pa president të zgjedhur deri në tetor dhe me Kuvend jofunksional për pjesën më të madhe të kohës. Raporti konstaton se përgjatë gjithë kësaj periudhe, Kuvendi punoi vetëm nga mesi i shkurtit deri në fund të prillit, ndërsa Qeveria ishte në detyrë në pjesën më të madhe të periudhës”, ka deklaruar Konjufca.
Sipas tij, edhe gjatë periudhës kur Kuvendi ishte funksional pati një ndërprerje prej tri javësh, nga 6 deri më 25 mars, kur Gjykata Kushtetuese mori vendimin përkatës.
Konjufca ka thënë se vetë Komisioni Evropian e ndërlidh ngadalësimin e reformave me bllokadën politike, e cila, sipas tij, ka kufizuar efektivitetin e qeverisjes dhe ka vonuar reformat strukturore.
Megjithatë, ai ka theksuar se, pavarësisht ritmit më të ngadalshëm të reformave në disa fusha, niveli i përgatitjes së Kosovës nuk ka shënuar rënie në asnjë prej tyre.
“Pasqyra e përgjithshme tregon se niveli i përgatitjes nuk kishte rënë në asnjë fushë. Në luftën kundër krimit të organizuar, niveli i përgatitjes është ngritur”, ka thënë ai.
Konjufca ka përmendur edhe shtatë kapituj ku, sipas tij, progresi është vlerësuar më mirë krahasuar me Raportin e Progresit të vitit 2025, përfshirë reformën e administratës publike, lëvizjen e lirë të kapitalit, shërbimet financiare, akuakulturën, statistikat, politikat rajonale dhe koordinimin e instrumenteve strukturore, si dhe drejtësinë, lirinë dhe sigurinë.
Ai ka theksuar se në disa kapituj raporti evidenton ritëm më të ngadalshëm të reformave, por jo rënie të nivelit të përgatitjes.

