Kylian Mbappe ka humbur bashkëpunimet me të paktën tri kompani kineze, pas komenteve të tij që duket se i referoheshin Mao Ce Dunit, themeluesit të Kinës komuniste.
Kompanitë e pijeve dhe produkteve ushqimore, Dongpeng, Mengniu dhe Milkground, njoftuan të martën ndërprerjen e marrëveshjeve me kapitenin e Francës. Në deklaratat e tyre, ato kundërshtuan, siç u shprehën, “çdo fjalë dhe veprim që lëndon ndjenjat kombëtare”.
Megjithatë, kompanitë nuk specifikuan drejtpërdrejt se çfarë i shtyu të merrnin këtë vendim.
Videoja që shkaktoi reagime në Kinë
Vendimet erdhën pasi në platformën X filloi të qarkullonte një video, në të cilën Mbappe duket se intervistohet përpara një paraqitjeje në emisionin francez në internet “The Bridge”.
Gjatë intervistës, futbollisti pyetet se cili është meme-i i tij i preferuar. Ai përgjigjet se bëhet fjalë për një video të krijuar nga dikush, duke përmendur një person që, sipas tij, ishte një diktator kinez. Më pas, në video shfaqet një imazh i montuar, ku fytyra e Mbappés vendoset mbi trupin e Mao Ce Dunit, i veshur me kostum blu.
Associated Press raportoi se nuk kishte arritur menjëherë të kontaktonte përfaqësuesit e Mbappes për të marrë një koment lidhur me këtë çështje.
Edhe rrjeti social RedNote reagon
Kritikave iu bashkua edhe platforma kineze e rrjeteve sociale RedNote. Ajo deklaroi se partneriteti i saj për përmbajtje me Mbappen kishte përfunduar më 31 dhjetor 2024 dhe se do të hiqte materialet përkatëse promovuese.
Mbappe ka marrë pjesë në fushata reklamimi në Kinë për produkte të ndryshme, nga pijet elektrolitike te qumështi dhe djathi.
Ndërkohë, reagimet negative u shtuan edhe në rrjetet sociale kineze. Hashtagët që lidhen me ndërprerjen e bashkëpunimeve nga kompanitë dhe thirrjet për bojkotimin e futbollistit u renditën ndër temat më të përfolura në platformën Weibo.
Disa përdorues shprehën zemërimin e tyre për komentet e interpretuara si referencë ndaj Mao Ce Dunit, ndërsa të tjerë i kërkuan Mbappes të mos vizitonte Kinën. /Zëri

