KORREKT / SOT29 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Sport

Trepça vazhdon serinë pozitive në Evropë, triumfon me 21 pikë dallim në Gjeorgji

Trepça vazhdon serinë pozitive në Evropë, triumfon me 21 pikë dallim në Gjeorgji

Kampionia e Kosovës në basketboll, Trepça, po vazhdon me rezultate pozitive në FIBA Europe Cup. Skuadra mitrovicase ka shënuar fitoren e tretë radhazi në këtë garë, pasi të mërkurën mbrëma mposhti bindshëm Batumin në Gjeorgji me rezultat 91:70.

“Xehetarët” e dominuan ndeshjen e vlefshme për xhiron e katërt të Grupit A, duke dëshmuar edhe një herë se janë në formë të mirë në arenën evropiane. Pas humbjes në xhiron hapëse ndaj Patrasi grek, Trepça reagoi me fitore ndaj Splitit në Kroaci dhe Opavas çeke në Mitrovicë, ndërsa tani triumfoi edhe në udhëtim ndaj Batumit.

Mitrovicasit e nisën ndeshjen në mënyrë të shkëlqyer, duke krijuar epërsi prej 12 pikësh që në çerekun e parë, të cilin e fituan 27:15. Dominimi vazhdoi edhe në çerekun e dytë, ndërsa në pushim Trepça shkoi me rezultat 46:33.

Në pjesën e dytë, Batumi tentoi të rikthehej në lojë dhe arriti ta fitonte çerekun e tretë me shifrat 25:22. Skuadra gjeorgjiane u afrua edhe në pesë pikë në çerekun e fundit, por Trepça reagoi në momentet vendimtare, e riktheu kontrollin e ndeshjes dhe në fund siguroi fitore bindëse me 21 pikë dallim.

Protagonisti kryesor i fitores ishte Drilon Hajrizi, i cili zhvilloi një paraqitje të jashtëzakonshme me 29 pikë, tetë kërcime dhe shtatë asistime. Kontribut të rëndësishëm dha edhe Shawn Jones, me 17 pikë, 12 kërcime dhe tri asistime, ndërsa Ken Hasbrouck shtoi po ashtu 17 pikë e katër asistime. Mikaile Tmushiq e mbylli ndeshjen me 13 pikë dhe katër kërcime.

Për Batumin kjo ishte humbja e katërt radhazi në Grupin A, ndërsa Trepça me këtë fitore i ka shtuar gjasat për të avancuar në fazën tjetër të FIBA Europe Cup. Skuadra mitrovicase do të synojë ta vazhdojë serinë pozitive në ndeshjen e radhës, kur pas një jave do të përballet me Trierin në Gjermani. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.