KORREKT / SOT22 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Sport

Trepça triumfon ndaj Opavës, Bashkimi mundet nga Kalevi

Trepça triumfon ndaj Opavës, Bashkimi mundet nga Kalevi

Trepça ka arritur fitoren e dytë radhazi në FIBA Europe Cup, duke e mposhtur skuadrën çeke Opava me rezultat 89-80, në përballjen e zhvilluar në Mitrovicë.

Skuadra mitrovicase e nisi mirë takimin, duke e mbyllur çerekun e parë me epërsi minimale 17-16. Në periudhën e dytë, Opava reagoi dhe arriti ta fitojë atë me shifrat 23-21, duke e mbajtur ndeshjen të hapur.

Pas pushimit, Trepça tregoi më shumë siguri në lojë dhe arriti ta marrë kontrollin e plotë të takimit. Vendasit fituan çerekun e tretë 27-22, ndërsa në dhjetëminutëshin e fundit triumfuan 22-19, për ta vulosur fitoren me nëntë pikë diferencë.

Jacori Payne dhe Shawn Jones ishin basketbollistët më efikasë te Trepça, duke realizuar nga 19 pikë secili. Me paraqitje të mirë u dallua edhe James Graham, i cili kontribuoi me 14 pikë, duke shënuar katër herë nga distanca për tri pikë në pesë tentime.

Te skuadra mysafire, Jakub Slavik ishte më i dalluari me 15 pikë.

Me këtë rezultat, Trepça e çon në dy numrin e fitoreve pas tri ndeshjeve të zhvilluara në fazën grupore, krahas një humbjeje. Për momentin, mitrovicasit renditen në pozitën e tretë në grupin që përbëhet nga gjashtë skuadra.

Në sfidën e radhës në FIBA Europe Cup, “Minatortët” do të luajnë në udhëtim ndaj skuadrës gjeorgjiane Batumi, ku do të kërkojnë ta vazhdojnë ecurinë pozitive dhe të përmirësojnë pozicionin e tyre në grup.

Ndërkaq, Bashkimi i Prizrenit ka pësuar humbje në përballjen ndaj skuadrës estoneze Bigbank Kalev, e vlefshme për FIBA Europe Cup, me rezultatin 88-84.

Ndeshja ishte mjaft e luftuar dhe mbeti e hapur deri në minutat e fundit, por skuadra estoneze arriti ta menaxhojë më mirë epërsinë për të siguruar fitoren.

Kalev e fitoi çerekun e parë me rezultat 20-19, ndërsa Bashkimi reagoi në periudhën e dytë, duke triumfuar 21-19 dhe duke shkuar në pushim me një pikë epërsi.

Megjithatë, vendasit e kthyen rrjedhën e ndeshjes në çerekun e tretë, të cilin e fituan 28-24. Në dhjetëminutëshin e fundit, Bashkimi u përpoq ta rikthente epërsinë, por Kalev fitoi edhe këtë periudhë me shifrat 21-20, duke e mbyllur takimin me katër pikë diferencë.

Lejson Zeqiri ishte shënuesi më i mirë i Bashkimit me 23 pikë, i ndjekur nga Divine Myles me 20 dhe Shannon Shorter me 15 pikë. Adrio Bailey kontribuoi me dhjetë pikë.

Te skuadra estoneze, Hugo Toom ishte më efikasi me 22 pikë, ndërsa Damian Forrest dhe Kevaughn Allen shtuan nga 15 pikë secili.

Pas kësaj përballjeje, Bashkimi ka regjistruar një fitore dhe një humbje në këtë edicion të FIBA Europe Cup, ndërsa ende duhet ta zhvillojë ndeshjen e shtyrë ndaj Manchester Basketball.

Në xhiron e ardhshme, skuadra prizrenase do të luajë para tifozëve të saj, ku do ta presë ekipin francez Elan Chalon. Bashkimi do të synojë të shfrytëzojë përparësinë e terrenit vendas për t’u rikthyer te rezultatet pozitive në arenën evropiane.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.