Ministria e Ekonomisë ka përmbyllur fazën e dorëzimit të ofertave për Ankandin e Parë të Erës, përmes të cilit synohet zhvillimi i kapaciteteve të reja prej 50 deri në 100 megavatë (MW) të energjisë së erës.
Në këtë proces kanë dorëzuar oferta tre ofertues të kualifikuar: konsorciumi gjerman-kosovar “Notus Energy GMBH” dhe “Stublla Energy LLC”, kompania franceze “Akuo Energy SAS” dhe kompania turke “GÜRİŞ İnşaat ve Mühendislik AS”.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, dorëzimi i ofertave shënon kalimin në një fazë vendimtare të procesit konkurrues për zhvillimin e projekteve të reja të energjisë nga era.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se me pranimin e ofertave është përmbyllur një etapë e rëndësishme e procesit të parë konkurrues për kapacitete të energjisë nga era.
Në javët në vijim, ofertat do t’i nënshtrohen vlerësimit për të verifikuar përmbushjen e kërkesave ligjore, administrative dhe teknike të përcaktuara në dokumentacionin e projektit.
Vetëm ofertat që plotësojnë këto kritere do të avancojnë në fazën e vlerësimit financiar, ndërsa fitues do të shpallet ofertuesi që ofron çmimin më të ulët.
Sipas Rizvanollit, kjo qasje synon të garantojë cilësi, transparencë, konkurrencë të ndershme dhe vlerën më të mirë për qytetarët e Kosovës.
Ankandi është pjesë e politikave për zhvillimin e kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme, diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë elektrike dhe avancimin e tranzicionit energjetik.
Procesi është mbështetur nga partnerë ndërkombëtarë, përfshirë Korporatën Ndërkombëtare Financiare (IFC), e cila shërben si këshilltare e transaksionit, si dhe Qeverinë e Gjermanisë dhe Qeverinë e Luksemburgut përmes LuxDev.
Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se vlerësimi do të zhvillohet në përputhje me kriteret dhe procedurat e përcaktuara, duke respektuar parimet e konkurrencës, transparencës dhe trajtimit të barabartë të ofertuesve./Telegrafi/