Donatella Versace, 71 vjeçe, ka tërhequr sërish vëmendjen në New York, duke u shfaqur me një pamje elegante dhe rinore në festën para Met Gala 2026, të organizuar nga Lauren Sánchez dhe Jeff Bezos.
Stilistja ikonike italiane festoi ditëlindjen e saj mes yjeve të modës dhe showbiz-it, e veshur me një fustan të shkurtër të zi të zbukuruar me detaje shumëngjyrëshe, të kombinuar me çizme të gjata mbi gju dhe taka të larta platformë.
Ajo e kompletoi pamjen me aksesorë luksozë dhe një grim të kuruar, duke u shfaqur më e freskët se zakonisht dhe duke nxitur sërish diskutime për transformimin e saj ndër vite, shkruan DailyMail.
Në rrjetet sociale dhe mediet ndërkombëtare janë rikthyer spekulimet për ndërhyrjet estetike të saj, edhe pse Versace ka pranuar publikisht vetëm përdorimin e Botox-it.
Në paraqitjet e fundit, ajo është komentuar për një pamje më të ndryshuar, me tipare më të rafinuara dhe më pak të fryra, çka ka ndezur edhe më shumë diskutime mes fansave.
Dalja e saj në këtë event vjen edhe në një moment të rëndësishëm profesional, pasi Donatella Versace ka bërë një paraqitje të shkurtër në filmin The Devil Wears Prada 2, duke rikthyer vëmendjen mbi lidhjen e saj me botën e modës dhe kinemasë.
Ndërkohë, vetë Met Gala 2026 është shoqëruar me polemika për shkak të rolit të Lauren Sanchez dhe Jeff Bezos si bashkëkryetarë nderi dhe donatorë kryesorë, gjë që ka shkaktuar reagime të ndryshme në industrinë e modës dhe thirrje për bojkot në rrjet. /Telegrafi/