Kryetari i Komunës së Prizrenit Shaqir Totaj ka njoftuar se ka nisur asfaltimi i rrugës “Nijazi Gashi”, ku është shtruar shtresa e parë e asfaltit në një gjatësi prej 100 metrash.
Sipas Totajt, punimet do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së nesërme me shtrimin e shtresës së dytë të asfaltit, duke përmbyllur investimin e realizuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike.
Ai theksoi se ky projekt synon përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe krijimin e kushteve më të mira për qarkullim për banorët e kësaj zone.
“Asfaltimi i kësaj rruge është pjesë e investimeve të vazhdueshme për modernizimin e infrastrukturës lokale dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve”, ka bërë të ditur Totaj. /Telegrafi/
