Kandidati për president të Real Madridit, Enrique Riquelme, ka deklaruar të dielën se nëse zgjidhet në krye të klubit, synon ta sjellë në “Santiago Bernabéu” fituesin e “Topit të Artë”, Rodrin.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu se, në rast fitoreje në zgjedhje, Reali do të synojë t’i bashkojë skuadrës edhe dy yje të tjerë, pa përmendur emra.
“Po të jem unë president, një lojtar si Rodri do të luajë për Real Madridin”, ka thënë Riquelme, sipas “Mundo Deportivo”.
Ndërkohë, presidenti aktual Florentino Perez i ka shpallur zgjedhjet e reja, të cilat do të mbahen më 7 qershor. Në garë për postin e presidentit janë pikërisht Perez dhe Riquelme.
Perez, 79 vjeç, është president i Real Madridit që nga viti 2009, ndërsa klubin e kishte drejtuar edhe më herët, në periudhën 2000-2006. /Telegrafi/
