Lamine Yamal ka dhënë një deklaratë që është interpretuar si një thumbim ndaj Harry Kane në garën për Topin e Artë, duke thënë se çmimi duhet t’i takojë lojtarit më të mirë në botë dhe jo domosdoshmërisht golashënuesit më të mirë.
Kane është një prej kandidatëve kryesorë për çmimin pas një sezoni të jashtëzakonshëm me Bayern Munichun, ku realizoi 73 gola për klubin dhe Kombëtaren gjatë sezonit 2025/26.
Yamal, i cili gjithashtu është në garë për Topin e Artë, ka bërë të qartë se golat nuk duhet të jenë kriteri kryesor për përcaktimin e fituesit.
“Unë mendoj se Topi i Artë duhet t’i shkojë lojtarit më të mirë në botë, pikë. Jo një lojtari që ka shënuar 80 gola, sepse kur shënon 80 gola, për këtë e merr çmimin e golashënuesit më të mirë”.
“Këto janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme, të cilat njerëzit nuk po i kuptojnë”, ka thënë Yamal për Movistar Plus Deportes.
Sipas yllit të Barcelonës, lojtari më i mirë është ai që të bën të shijosh futbollin vetëm duke e parë në fushë.
“Lojtari më i mirë në botë është ai që, si komentator, po e shikon një ndeshje dhe po kënaqesh. E sheh dhe mendon: ‘Është një lojtar krejtësisht ndryshe nga të tjerët’”.
“Kur çmimi t’i jepet më të mirit, jo atij që shënon më shumë gola apo atij që ka fituar më shumë trofe, atëherë do ta rikthejë vlerën e tij të vërtetë”.
Përveç Kane dhe Yamal, në mesin e emrave të përmendur në garën për Topin e Artë janë edhe Kylian Mbappe, Khvicha Kvaratskhelia, Michael Olise dhe Lionel Messi.
Fituesi i çmimit pritet të shpallet në muajin tetor./Telegrafi/