Rrjeti social Threads po prezanton funksione të reja që u mundësojnë prindërve dhe kujdestarëve të monitorojnë përdorimin e platformës nga fëmijët e tyre adoleshentë.
Funksioni “Parental Supervision” u jep prindërve mundësinë të shohin sa kohë kalojnë adoleshentët në aplikacion, të vendosin kufizime kohore për përdorimin dhe të përcaktojnë oraret e “modalitetit të gjumit”.
Gjithashtu, ata mund të kufizojnë etiketimet që adoleshentët mund të shohin dhe të menaxhojnë disa cilësime të privatësisë dhe përmbajtjes.
Këto mjete janë krijuar si shtesë ndaj masave të tjera të sigurisë që tashmë aplikohen për llogaritë e adoleshentëve në Threads.
Prindërit do të mund t’i përdorin këto funksione përmes qendrës Meta Family Center, ku do të kenë qasje në kontrolle dhe informacione mbi përdorimin e platformës.
Meta prej kohësh po përpiqet të krijojë mënyra që fëmijët dhe të rinjtë t’i përdorin produktet e saj në mënyrë më të sigurt.
Ndër masat e fundit janë edhe ndarja me kujdestarët e temave për të cilat adoleshentët diskutojnë me Meta AI, si dhe kufizimi i ekspozimit të përsëritur ndaj përmbajtjeve potencialisht të dëmshme në Instagram. /Telegrafi/
