Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit A.M., i dyshuar për veprën penale të grabitjes.
Sipas Gjykatës, vendimi është marrë pas aprovimit të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë.
“Gjykata Themelore në Gjakovë, në seancën dëgjimore të mbajtur dje, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit A.M., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale të grabitjes”, thuhet në komunikatë.
Sipas dosjes së Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 1 qershor 2026, rreth orës 17:50, prapa këndit të lojërave në Gjakovë.
“I pandehuri A.M. me datën më 1 qershor 2026, rreth orës 17:50, prapa këndit të lojërave në Gjakovë, në bashkëkryerje me të miturit I.A. dhe A.A., duke vepruar si anëtar i një grupi të armatosur dhe me përdorim të forcës e kanosjes serioze, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ka grabitur të dëmtuarin e mitur E.B i lindur më 2009”, thuhet në njoftim.
Sipas autoriteteve, gjatë grabitjes i dyshuari ka përdorur thikë ndaj viktimës së mitur.
“Gjatë ngjarjes, i pandehuri e ka goditur disa herë të dëmtuarin me thikë në krahun e majtë dhe, së bashku me të miturit e tjerë, e ka sulmuar fizikisht, ndërsa nën kërcënimin e thikës i ka marrë çantën e krahut, nga e cila ka përvetësuar portofolin me 115 euro”, theksohet në komunikatë.
Si pasojë e sulmit, viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore.
“Si pasojë e sulmit, të dëmtuarit i janë shkaktuar lëndime të rënda trupore, të konstatuara në raportin mjekësor të lëshuar nga Spitali Rajonal ‘Isa Grezda’ në Gjakovë”, njofton Gjykata.
Gjykatësi i procedurës paraprake, Drilon Haraçia, ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit.
Me vendimin e marrë, A.M. do të qëndrojë në paraburgim deri më 1 korrik 2026, ndërsa palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Telegrafi/
