Recensionet e para për filmin “The Odyssey” të Christopher Nolan kanë qenë jashtëzakonisht pozitive, pasi produksioni epik u shfaq në premierën botërore të mbajtur në Londër.
Kritikët e pranishëm e kanë cilësuar filmin si një nga veprat më të arrira të regjisorit britanik, duke vlerësuar si realizimin vizual, ashtu edhe interpretimet e kastit.
Pas premierës, shumë kritikë ndanë reagimet e tyre në rrjetet sociale. Steven Weintraub nga Collider e përshkroi filmin si “të pabesueshëm”, ndërsa Joshua Rothkopf i Los Angeles Times e cilësoi “kinema të pastër”, duke vlerësuar balancën mes spektaklit, humorit dhe emocioneve, shkruan DailyMail.
Phil de Semlyen nga Time Out e quajti filmin “një përzierje marramendëse artizanati dhe spektakli”, ndërsa Erik Davis i Rotten Tomatoes e cilësoi “një triumf absolut” dhe një nga arritjet më të mëdha të Nolan.
Vlerësime të veçanta morën edhe aktorët. Matt Damon, i cili interpreton Odiseun, është përmendur si një pretendent serioz për sezonin e ardhshëm të çmimeve, ndërsa Samantha Morton ka marrë vlerësime të jashtëzakonshme për rolin e Circes.
Robert Pattinson është cilësuar nga disa kritikë si aktori që “vjedh shfaqjen” me interpretimin e tij.
Vetë Christopher Nolan, gjatë prezantimit të filmit në premierë, u shpreh se shfaqja në Leicester Square ishte një moment i veçantë për të, pasi ishte rritur duke parë filma pikërisht në atë kinema.
Me humor, ai iu drejtua kritikëve duke thënë: “Ju jeni të parët në botë që e shihni këtë film, prandaj jini të sjellshëm”.
Megjithëse shumica e reagimeve kanë qenë entuziaste, pati edhe disa vlerësime më të rezervuara.
Kritiku David Ehrlich nga IndieWire e cilësoi filmin “jashtëzakonisht ambicioz”, por vuri në dukje se ritmi në disa pjesë është më i ngadaltë, edhe pse sipas tij finalja e shpërblen plotësisht udhëtimin.
“The Odyssey”, me protagonistë Matt Damon, Anne Hathaway, Zendaya, Tom Holland, Robert Pattinson, Lupita Nyong’o dhe Charlize Theron, pritet të dalë në kinema më 17 korrik. /Telegrafi/
