Presidenti amerikan, Donald Trump ka miratuar idenë për lehtësimin e disa sanksioneve ndaj Rusisë në këmbim të lirimit të të burgosurve politikë.
Ideja u shfaq pas takimit të të dërguarit të posaçëm amerikan, John Coale, me ish-kryeredaktorin e Novaya Gazeta, Dmitry Muratov. Muratov sugjeroi rikthimin te praktika e përdorur gjatë Luftës së Ftohtë dhe kërkimin e lirimit të disidentëve.
Coale dhe Muratov kanë përgatitur lista me shtetas rusë të dënuar në raste politike dhe për kundërshtimin e luftës. Emrat konkretë ende nuk janë bërë publikë, shkruan theatlantic.
Po ashtu, nuk dihet se cilat sanksione amerikane mund të lehtësohen në këmbim të lirimit të të burgosurve.
Sipas The Atlantic, iniciativa është ende në fazat fillestare dhe mund të përdoret për të avancuar negociatat mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
Administrata Trump është gjithashtu e interesuar për marrëveshje të mundshme që përfshijnë naftën ruse, karburantet, mineralet e rralla dhe burime të tjera natyrore.
Ukraina kundërshton çdo lehtësim të sanksioneve pa garanci se lufta do të përfundojë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se do të përpiqet t’i bllokojë marrëveshje të tilla derisa të përfundojnë armiqësitë.
Kritikët e kësaj nisme paralajmërojnë se shkëmbimi i të burgosurve politikë me lëshime në fushën e sanksioneve mund t’u krijojë autoriteteve ruse dhe bjelloruse një nxitje për të arrestuar persona të rinj, me qëllim përdorimin e tyre më pas në negociatat me Perëndimin. /Telegrafi/