KORREKT / SOT14 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Ekonomi

Thatësira në Zvicër nxjerr jashtë funksionit dhjetëra hidrocentrale, rriten çmimet e energjisë elektrike

Thatësira në Zvicër nxjerr jashtë funksionit dhjetëra hidrocentrale, rriten çmimet e energjisë elektrike

Mungesa e ujit në lumenjtë e Zvicrës ka shkaktuar rënie të ndjeshme të prodhimit të energjisë elektrike, duke detyruar dhjetëra hidrocentrale të ndalojnë punën.

E kjo situatë po ndikon edhe në çmimet e energjisë, të cilat kanë shënuar rritje në tregun zviceran. Sipas raportimit të mediumit zviceran Blick, nivelet e lumenjve dhe liqeneve kanë rënë në nivele jashtëzakonisht të ulëta për shkak të thatësirës së zgjatur.

Si pasojë, shumë centrale që prodhojnë energji nga rrjedha e lumenjve kanë ulur kapacitetin ose janë detyruar të ndërpresin plotësisht prodhimin.

Në Zvicër ekzistojnë rreth 1.400 hidrocentrale të vogla, shumica të vendosura përgjatë lumenjve dhe përrenjve, shkruan Blick, transmeton Telegrafi.

Në këtë periudhë të vitit, hidrocentralet e tipit lumor zakonisht sigurojnë rreth 10 deri në 15 për qind të përzierjes së energjisë elektrike të prodhuar në vend. Aktualisht, kontributi i tyre ka rënë në një pjesë të vogël të nivelit të zakonshëm.

Pasojat e mungesës së ujit janë vërejtur në disa rajone të vendit. Hidrocentrali i Höngg-ut, në lumin Limmat, është detyruar të ndalojë prodhimin, ndërsa tri centralet lumore të ndërmarrjes elektrike të Cyrihut po prodhojnë vetëm gjysmën e sasisë së mëparshme të energjisë.

Edhe në hidrocentralet përgjatë lumenjve Rajn dhe Aare është regjistruar rënie e konsiderueshme e prodhimit.
Sipas kompanisë energjetike Alpiq, prodhimi në centralet e saj përgjatë Aare-s është rreth 70 për qind më i ulët se niveli i zakonshëm. Ndërkohë, centrali i Rheinau-s në shtator prodhoi vetëm 43 për qind të mesatares së dhjetë viteve të fundit.

Edhe reshjet e fundit nuk kanë sjellë përmirësim të qëndrueshëm. Përgjegjësi i kompanisë Thurkraftëerk AG, Kaspar Böhi, ka paralajmëruar se, nëse nuk ka reshje të reja, centralet përgjatë lumit Thur mund të detyrohen sërish të ndalojnë prodhimin.

Rënia e prodhimit vendas po i detyron disa furnizues të blejnë më shumë energji elektrike në tregjet e jashtme, veçanërisht kompanitë më të vogla, të cilat varen më shumë nga hidrocentralet lokale.

Eksperti i energjisë René Baggenstos, nga kompania Enerprice AG, ka deklaruar se nivelet e ulëta të ujit po ndikojnë në çmimet afatshkurtra të energjisë elektrike. Sipas tij, çmimi në tregun spot në Zvicër është rritur me 9 për qind krahasuar me javën paraprake.

Megjithatë, sipas ekspertit, një nga faktorët kryesorë që kanë shtyrë çmimet e energjisë lart gjatë muajve të fundit është edhe lufta në Iran dhe ndikimi i saj në çmimet e gazit.

Për momentin, familjet zvicerane janë të mbrojtura nga ndikimi i menjëhershëm i këtyre rritjeve, pasi tarifat për vitin e ardhshëm janë tashmë të përcaktuara. Por energjia elektrike për furnizim në vitin 2027 kushton aktualisht në tregun e kontratave afatgjata mbi 60 për qind më shumë se gjatë verës.

Ekspertët paralajmërojnë se, nëse çmimet e larta vazhdojnë, ato mund të reflektohen në faturat e konsumatorëve në vitet në vijim.

Mungesa e reshjeve dhe rënia e prodhimit nga hidrocentralet po e vënë kështu sektorin energjetik zviceran nën presion, ndërsa zhvillimet e ardhshme do të varen kryesisht nga kushtet atmosferike dhe ecuria e çmimeve në tregjet ndërkombëtare./Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.