Furnizimi me ngrohje për konsumatorët e Termokosit në Prishtinë do të ndërpritet përkohësisht në orët e para të së shtunës, për shkak të ndaljes së kontrolluar të Njësisë B2 të termocentralit “Kosova B”.
Sipas njoftimit të ndërmarrjes publike “Termokos”, ndalja e kësaj njësie do të pamundësojë furnizimin me avull, i cili nevojitet për prodhimin e energjisë ngrohëse, transmeton Zeri.info.
Gjatë periudhës së ndërprerjes, furnizimi me ngrohje do të vazhdojë vetëm për klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), përmes ngrohtores që shërben për nevojat e kësaj qendre.
“Termokosi” ka bërë të ditur se kjo periudhë do të shfrytëzohet për të evituar vështirësitë e paraqitura në qarkullimin e ngrohjes gjatë ditëve të para të këtij sezoni ngrohës.
Ndërmarrja ka njoftuar se do të jetë në koordinim të ngushtë me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) për rikthimin e furnizimit me avull.
“Sapo të krijohen kushtet e nevojshme për fillimin e marrjes së avullit, do të ndërmerren të gjitha veprimet për rikthimin e furnizimit me ngrohje për gjithë konsumatorët”, thuhet në njoftim.
“Termokosi” u ka kërkuar konsumatorëve mirëkuptim për këtë ndërprerje të përkohshme. /Zëri

