Abemaciclib 150 mg, një terapi që përdoret për trajtimin e pacienteve me kancer të gjirit me receptorë hormonalë pozitivë (HR+) dhe HER2 negativ, aktualisht mund të sigurohet vetëm në disa barnatore private në Kosovë, ku një paketim kushton rreth 750 euro.
Megjithëse bëhet fjalë për një terapi të rekomanduar në udhëzimet ndërkombëtare, medikamenti vazhdon të mos jetë pjesë e Listës së Barnave Esenciale.
Ministria e Shëndetësisë thotë se në këtë fazë nuk mund të konfirmojë nëse ai është propozuar për përfshirje në këtë listë.
Nw njw përgjigje pwr Telegrafin, Ministria ka bërë të ditur se është duke punuar në përditësimin e Listës së Barnave Esenciale.
“Ministria e Shëndetësisë është duke punuar në vazhdimësi në përditësimin e Listës së Barnave Esenciale (LBE), me qëllim të adresimit sa më të mirë të nevojave të qytetarëve, përkatësisht pacientëve që marrin shërbime shëndetësore në institucionet publike shëndetësore,” thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Tutje, MSH ka sqaruar se procedura për përfshirjen e një bari në Listën e Barnave Esenciale fillon nga klinikat dhe strukturat profesionale.
“Sa i përket përfshirjes së produkteve në LBE, vlerësimi fillestar i nevojës për përfshirjen e një bari është në kompetencë të klinikave dhe strukturave përkatëse profesionale. Për të shqyrtuar mundësinë e përfshirjes së një produkti në LBE, në përputhje me Rregulloren e Punës së Komitetit Kyç, kërkesa e arsyetuar duhet fillimisht të iniciohet nga nënkomiteti profesional përkatës dhe më pas t’i përcillet Komitetit Kyç për shqyrtim dhe vendimmarrje përfundimtare”, thuhet në përgjigje.
Megjithatë, Ministria ka bërë të ditur se aktualisht nuk mund të konfirmojë nëse Abemaciclib është propozuar nga Klinika e Onkologjisë për t’u përfshirë në listë.
“Komiteti kyç ende nuk ka pranuar listën përfundimtare të propozimeve nga nënkomitetet përkatëse. Për rrjedhojë, në këtë fazë nuk mund të konfirmohet nëse produkti në fjalë është vlerësuar dhe propozuar për përfshirje në LBE nga klinika përkatëse,” thuhet në përgjigjen zyrtare.
Përgjigjja e Ministrisë lë të paqartë nëse procedura për përfshirjen e Abemaciclib në Listën e Barnave Esenciale ka nisur, ndërsa pacientet që kanë nevojë për këtë terapi vazhdojnë ta sigurojnë atë vetëm në tregun privat, me kosto të lartë. /Telegrafi/
