Finalja e Superkupës së Kosovës në basketboll mes Trepçës dhe Bashkimit, që po zhvillohet në Rahovec, është ndërprerë përkohësisht pas një incidenti që ndodhi në parket.
Ndeshja ishte duke u zhvilluar në një atmosferë spektakolare, ndërsa Trepça ishte në epërsi me rezultat 42:35. Mitrovicasit e kishin fituar çerekun e parë 24:22, ndërsa në çerekun e dytë, kur kishin mbetur edhe 2 minuta e 12 sekonda deri në fund, avanconin 18:13.
Incidenti ndodhi pas një depërtimi të Arian Azemit, i cili shënoi dy pikë dhe më pas u rrëzua, duke kërkuar faul. Gjyqtari i takimit, Xhelal Muminin, nuk u pajtua me kërkesën e basketbollistit të Bashkimit dhe, përkundrazi, e ndëshkoi atë me faul teknik.
Ky vendim shkaktoi reagime të forta nga lojtarët e Bashkimit, por edhe nga banka dhe një pjesë e madhe e të pranishmëve në palestër. Situata u tensionua edhe më tej, teksa nga tribunat u hodhën disa mjete piroteknike, të shoqëruara me zhurmë të madhe.
Pas këtij incidenti, gjyqtarët u larguan nga parketi dhe shkuan në zhveshtore. Pas tyre, edhe të dyja skuadrat, Trepça dhe Bashkimi, u tërhoqën nga parketi, duke bërë që finalja të pezullohej përkohësisht.
Në momentin e ndërprerjes, Trepça ishte në epërsi 42:35, ndërsa pritet të shihet se kur do të vazhdojë ndeshja. /Telegrafi/