Pas vendimit të Ministrisë së Arsimit që Afrim Loku të emërohet ushtrues detyre i rektorit të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (USHAF), ka reaguar Fakije Zejnullahu, e cila nuk ka lejuar rektorin e ri të futet në Zyrën e tij.
Ajo pretendon se ka vendim të Këshillit Drejtues për ushtrimin e kësaj detyre.
Zejnullahu ka deklaruar se ministri nuk ka kompetencë për një emërim të tillë, duke theksuar se do të vazhdojë t’i zbatojë vendimet e Këshillit Drejtues.
Ajo ka siguruar se mësimi dhe aktivitetet e universitetit do të vazhdojnë normalisht, duke shtuar se synimi është ruajtja e stabilitetit institucional.
Ndërkaq, Afrim Loku ka reaguar përmes një deklarate publike, duke mohuar se ka kërcënuar me mbylljen e universitetit. Ai ka kundërshtuar edhe atribuimin e deklaratave dhe qëndrimeve që, sipas tij, nuk i ka shprehur.
Loku ka bërë thirrje për qetësi, dialog dhe respektim të procedurave institucionale, duke theksuar se mospajtimet duhet të trajtohen përmes argumenteve dhe jo përmes sulmeve personale.
Në fund, ai ka kërkuar që pretendimet e pavërteta ndaj tij të korrigjohen publikisht, ndërsa ka paralajmëruar se për deklaratat që cenojnë reputacionin e tij do t’u drejtohet organeve kompetente dhe rrugëve ligjore.

