(E plotësuar) – Kanë nisur tensionet në protestën e organizuar nga PD para godinës së Kryeministrisë në Tiranë, ku raportohet se janë përdorur mjete ndezëse nga disa protestues.
Situata në vendngjarje është përshkallëzuar për disa momente, ndërsa forca të shumta policie ndodhen në terren për të mbajtur nën kontroll turmën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të incidenteve.
Protestuesit marshojnë drejt Ministrisë së Brendshme, policia hedh ujë në drejtim të turmës
Protestuesit kanë nisur marshimin-protestë nga Kryeministria në drejtim të Ministrisë së Brendshme.
Gjatë marshimit protestuesit brohorasin fjalët “policia e krimit”, në shenjë revolte ndaj veprimeve të “bluve” gjatë protestës së fundit. Policia ka krijuar menjëherë një gardh përballë Galerisë së Arteve, duke hedhur ujë në drejtim të tyre.
Një ditë më parë Hita tha se opozita ka marrë leje vetëm për protestën para Kryeministrisë dhe nëse do të ketë veprime anti-ligjore efektivët do të përgjigjen.
Nis protesta e opozitës në Shqipëri
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë nga selia ë për t’u nisur drejt protestës së opozitës, e cila pritet të zhvillohet përpara Kryeministrisë.
Për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë protestës janë angazhuar rreth 1500 punonjës policie. Tubimi është njoftuar të zgjasë nga ora 19:00 deri në 22:00 dhe sipas organizatorëve nuk do të ketë fjalime, por do të zhvillohet në formën e një marshimi.
Policia e Tiranës ka bërë të ditur edhe masat e qarkullimit rrugor. Nga ora 23:45 e së enjtes deri në përfundim të protestës më 8 maj, është ndaluar qarkullimi dhe parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”.
Po ashtu, të premten nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në terren ka qenë edhe drejtori i Përgjithshëm Skënder Hita, i cili ka inspektuar nga afër masat e sigurisë në bulevardin kryesor të kryeqytetit.