KORREKT / SOT24 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Tender afro 10 milionë euro për Qarkoren e Gjilanit, kompania fituese e ish të akuzuarit për ryshfet bashkë me Fatmir Limajn

Tender afro 10 milionë euro për Qarkoren e Gjilanit, kompania fituese e ish të akuzuarit për ryshfet bashkë me Fatmir Limajn

Ka mbi dy vite që kur kryetari i Gjilanit, nga Vetëvendosje, Alban Hyseni kishte prezantuar idenë e ndërtimit të Qarkores në Gjilan.

E ky vendim për ndërtimin e qarkores ka marrë edhe vulën e fundit, atë të nënshkrimit të kontratës për fillimin e punimeve për një nga projektet më të rëndësishme në këtë komunë.

Kjo kontratë tanimë e bërë publike në e-prokurimi, është në vlerë 9,987,063.30 euro dhe e njëjta i është dhënë konsorciumit mes kompanive “Tali Sh.P.K.” dhe “Company Zuka Commerce”, të lidhura me biznesmenin Florim Zuka.

Konsorciumi i lidhur me biznesmenin Zuka u shpall fituese bazuar në kriterin e “tenderit të përgjegjshëm me çmimin më të ulët”.

Konsorciumi fitues ofertoi me çmim 9.9 milionë euro, ndërsa oferta tjetër e kompanisë nga Tirana “Abi Cons” u eliminua për shkak të çmimit më të lartë. Kompania ndërtimore shqiptare ofertoi me çmim 10.2 milionë euro, rreth 300 mijë euro më të lartë sesa konsorciumi i kryesuar nga “Tali Sh.P.K”.

Sipas njoftimeve mbi të, thuhet se kontrata është planifikuar të nënshkruhet të martën, sipas njoftimit për dhënie të kontratës të publikuar në platformën e-prokurimi.

Sipas dosjes së tenderit, konsorciumi mes dy kompanive në pronësi të familjes Zuka do të ndërtojë Qarkoren e Gjilanit, do të hartojë projektin kryesor për Qarkoren e Qytetit, si dhe kyçjen e dy rrugëve nacionale në Autostradën e Gjilanit.

Konkretisht, projekti përfshin ndërtimin e rrugës qarkore të Gjilanit, si dhe rrugëve në Stanqiq, Lipovicë, Myqibabë, Depcë dhe Cernicë.

Projekti është bashkëfinancim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.

Por kush qëndron prapa kompanisë fituese?

Sipas të dhënave publike nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, “Tali Sh.P.K.” është kompani 100% në pronësi të biznesmenit Florim Zuka, ndërsa “Company Zuka Commerce” është në pronësi të Andi dhe Muhadin Zukës. Për këdo që nuk e di,  Muhadin Zuka është vëllai i Florim Zukës.

Florim Zuka është emër i njohur i biznesit, i lidhur prej më shumë se një dekade me kontratat e prokurimit publik. Madje Zuka viteve të fundit u përkujdes thuajse për secilin “projekt” të madh në Komunën e Gjilanit, por edhe për rrugët lidhëse nga Prishtina për në Gjilan.

Kompania TALI SH.P.K. ka realizuar punime në infrastrukturën rrugore që lidhet me Kishnicën, kryesisht në projektin e rehabilitimit të rrugës nacionale N25.2 (segmenti Kishnicë–Bresalc), i cili ka nisur zyrtarisht në maj të vitit 2025

Por Florim Zuka ishte një nga emrat e përfshirë në një aktakuzë për korrupsion që misioni i BE-së për sundim të ligjit në vendin tonë, EULEX, ngriti ndaj ish-ministrit të Transportit, Fatmir Limaj, në vitin 2008.

Që nga viti 2008, Limaj së bashku me Zukën dhe disa të tjerë ishin gjykuar për rastin e njohur si “MTPT”-ja.

Limaj, Zuka dhe pesë të tjerë akuzoheshin, mes tjerash, për manipulimin e procedurave të tenderëve, dhënien dhe marrjen e ryshfetit dhe pengimin e mbledhjes së provave dhe dëshmive në lidhje me tre tenderë në MTPT për përfitime personale.

Në fund të vitit 2017, Limaj së bashku me Zukën dhe të tjerët ishin shpallur të pafajshëm nga Gjykata, pasi rasti nga Eulexi kishte kaluar tek gjykata vendore.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.