KORREKT / SOT19 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Telekomi blen dy iPhone 18 Pro Max, sqaron se nuk janë për zyrtarët: Do të dhurohen në një lojë shpërblyese

Telekomi blen dy iPhone 18 Pro Max, sqaron se nuk janë për zyrtarët: Do të dhurohen në një lojë shpërblyese

Telekomi i Kosovës ka blerë dy telefona të modelit iPhone 18 Pro Max, në ngjyrë vishnje (Burgundy), përmes një tenderi publik në vlerë prej 3 mijë e 186 eurosh.

Pas raportimit për këtë blerje, Lajmi.net i ka dërguar pyetje Telekomit të Kosovës, duke kërkuar sqarime se për kë janë dedikuar pajisjet dhe pse në specifikimet e tenderit është përmendur edhe ngjyra e telefonave.

Në përgjigjen e tij, Telekomi ka bërë të ditur se telefonat nuk janë blerë për përdorim nga stafi apo zyrtarët e institucionit, por do të shërbejnë si shpërblime për konsumatorët e VALA-s, përmes lojërave shpërblyese në rrjetet sociale.

“Pajisjet nuk do të shfrytëzohen për stafin apo zyrtarët e Telekomit të Kosovës. Ato u janë dedikuar ekskluzivisht konsumatorëve, në kuadër të lojërave shpërblyese (giveaway) në rrjetet sociale, me qëllim rritjen e ndërveprimit me ndjekësit, promovimin e brendit dhe shpërblimin e konsumatorëve të VALA-s”, thuhet në përgjigjen e Telekomit.

Tutje, kompania publike ka theksuar se aktivitete të tilla janë pjesë e praktikave të zakonshme të marketingut, përmes të cilave synohet forcimi i marrëdhënieve me konsumatorët.

Një tjetër çështje për të cilën Lajmi.net ka kërkuar sqarime është specifikimi i ngjyrës Burgundy në kërkesën për furnizim, duke marrë parasysh pretendimet se kjo ngjyrë është më e shtrenjtë në treg.

Telekomi ka sqaruar se kërkesa për këtë ngjyrë nuk ka qenë detyruese, por është përfshirë si preferencë për arsye promovuese dhe komerciale.

“Nëse i lexoni me vëmendje specifikimet do të vëreni se kërkesa për ngjyrën Burgundy nuk ka qenë kategorike. Preferenca për ngjyrën Burgundy është bërë për arsye komerciale dhe promovuese, pasi kjo është ngjyra kryesore identifikuese e gjeneratës së vitit 2026 dhe ngjall interesin më të lartë te konsumatorët”, ka deklaruar Telekomi.

Sa i përket çmimit të kësaj ngjyre, kompania ka thënë se nuk ka pasur informacion se ajo kushton më shumë se variantet e tjera.

“Sa i përket çmimit, ne nuk kemi njohuri se kjo ngjyrë është më e shtrenjtë. Gjithashtu, procedura e prokurimit është zhvilluar mbi bazën e kriterit ‘çmimi më i ulët’ për dhënien e kontratës”, thuhet në përgjigje.

Ndryshe, tenderin për furnizimin me dy iPhone 18 Pro Max e ka fituar kompania “SIA TECH L.L.C”, me ofertën prej 3 mijë e 186 eurosh.

Në këtë aktivitet të prokurimit kishin marrë pjesë edhe dy kompani të tjera. “Infinit Sh.P.K” kishte ofruar 3 mijë e 423 euro e 60 centë, ndërsa “BARCON SHPK” kishte paraqitur ofertën prej 3 mijë e 433 euro e 80 centësh.

Sipas dokumenteve të tenderit, telefonat janë paraparë të përdoren në një lojë shpërblyese në rrjetet sociale zyrtare të VALA-s, e cila planifikohet të organizohet gjatë periudhës së bartshmërisë së numrave.

Përmes këtij aktiviteti, Telekomi synon të ruajë konsumatorët ekzistues, të tërheqë përdorues të rinj, të rrisë numrin e ndjekësve në rrjetet sociale dhe të forcojë prezencën digjitale të VALA-s.

Për të dy telefonat është paraparë garanci prej 12 muajsh, e cila fillon nga momenti i pranimit të furnizimit./lajmi.net/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.