Telegram ka njoftuar rikthimin e tij në Apple Watch me një aplikacion të ri “native”, duke sjellë përsëri mundësinë për përdorimin e shërbimit të mesazheve direkt nga ora inteligjente e Apple, pas disa vitesh mungesë.
Aplikacioni i ri u lejon përdoruesve të lexojnë dhe të dërgojnë mesazhe, të shohin bisedat, si dhe të përdorin funksione si mesazhe zanore, sticker-a, GIF-e dhe ndarjen e lokacionit, pa pasur nevojë të përdorin vazhdimisht iPhone-in.
Sipas njoftimeve zyrtare, aplikacioni është plotësisht i pavarur dhe funksionon edhe në modelet Apple Watch me lidhje Wi-Fi ose celular, pasi përdoruesi e lidh atë përmes skanimit të një kodi QR në telefon.
Telegram kishte pasur më herët një version për Apple Watch që nga viti 2015, por ai u hoq më vonë për shkak të përdorimit të ulët dhe kufizimeve teknike. Rikthimi i tij vjen si pjesë e zgjerimit të platformës drejt pajisjeve wearable.
Me këtë zhvillim, Telegram synon të ofrojë një përvojë më të plotë komunikimi edhe në ekranin e vogël të orës inteligjente. /Telegrafi/
