Nga një ide e mirë deri te një projekt i financuar ka disa hapa, Telegrafi po kërkon personin që di t’i udhëheqë ato.
Telegrafi ka hapur konkurs për pozitën Project Development & Grants Manager – Menaxher/e për Zhvillimin dhe Menaxhimin e Projekteve, me lokacion në Prishtinë.
Pozita është e orientuar drejt profesionistëve që kanë përvojë në identifikimin e mundësive për financim, zhvillimin e ideve në projekte konkrete dhe menaxhimin e tyre nga faza e aplikimit deri te implementimi dhe raportimi përfundimtar.
Përgjegjësitë kryesore
Personi i përzgjedhur do të jetë përgjegjës për:
- Monitorimin e thirrjeve për projekte dhe grante nga organizata vendore dhe ndërkombëtare;
- Identifikimin e mundësive për financim që përputhen me prioritetet dhe zhvillimin strategjik të Telegrafit;
- Zhvillimin e ideve dhe koncepteve të reja për projekte;
- Hartimin e propozimeve dhe aplikimeve për grante;
- Përgatitjen e objektivave, aktiviteteve, indikatorëve dhe buxheteve të projekteve;
- Identifikimin dhe koordinimin me partnerë potencialë për aplikime të përbashkëta apo konsorciume;
- Koordinimin e implementimit të projekteve të aprovuara;
- Përcjelljen e afateve, aktiviteteve dhe rezultateve të projekteve;
- Koordinimin me ekipet e brendshme dhe partnerët e përfshirë në projekte;
- Përgatitjen e raporteve narrative dhe koordinimin e raportimit financiar me departamentin përkatës;
- Sigurimin që implementimi dhe raportimi të jenë në përputhje me kërkesat e donatorëve.
Kë po kërkon Telegrafi?
Për këtë pozitë kërkohet diplomë universitare në fusha relevante dhe së paku tre vite përvojë në zhvillimin, aplikimin ose menaxhimin e projekteve të financuara nga donatorë.
Kandidatët duhet të kenë përvojë në hartimin e propozimeve dhe aplikimeve për grante, njohuri të procedurave të implementimit dhe raportimit, si dhe aftësi shumë të mira të komunikimit dhe shkrimit profesional në gjuhën shqipe dhe angleze.
Përvoja me projekte të financuara nga BE ose organizata të tjera ndërkombëtare, si dhe puna në projekte të zhvilluara në partneritet apo konsorcium, konsiderohen përparësi.
Pozita kërkon gjithashtu një profil proaktiv dhe të organizuar, që di të identifikojë mundësi të reja, të koordinojë ekipe dhe të marrë përgjegjësi për realizimin e objektivave dhe respektimin e afateve.
Si të aplikoni?
Kandidatët e interesuar mund të dërgojnë CV-në e tyre deri më 13 nëntor 2026, duke vendosur në titullin e email-it:
APLIKIM PËR POZITËN: Project Development & Grants Manager
Detajet e plota të konkursit dhe mënyrën e aplikimit mund t’i gjeni në Telegrafi Jobs.

