Dymbëdhjetë persona kanë mbetur të lënduar, prej të cilëve 11 me plagë nga armët e zjarrit, pas të shtënave të shtunën në mbrëmje pranë kampusit të Universitetit Florida A&M në Tallahassee, raporton Reuters përcjell Dukagjini.
Sipas policisë, mes të lënduarve janë gjashtë të rritur dhe gjashtë të mitur. Të paktën tre persona kanë pësuar lëndime të rënda, ndërsa nëntë të tjerët ndodhen në gjendje të qëndrueshme.
Ngjarja ndodhi në rrugën Perry, pranë kampusit universitar. Hetimet paraprake tregojnë se të shtënave u kishte paraprirë një përleshje fizike, por autoritetet nuk kanë dhënë hollësi të tjera.
Shefi i policisë së Tallahassee, Lawrence Revell, e cilësoi veçanërisht tronditës faktin se mes të lënduarve ka edhe fëmijë.
Gazeta New York Post raportoi se personi më i ri i plagosur është 11 vjeç. Megjithatë, policia nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së Reutersit për konfirmimin e këtij informacioni.
Sipas së njëjtës gazetë, një konflikt mes dy ose tre personave gjatë një feste u përshkallëzua në të shtëna pak para orës 20:00.
Njësia policore për krime të dhunshme po heton rrethanat e ngjarjes. Ndërkohë, universiteti deklaroi se siguria e studentëve, pedagogëve dhe stafit mbetet përparësia e tij kryesore.

