KF Shkëndija e Tetovës ka marrë të martën një dënim të rëndë nga Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut (FFM), pas incidentit në finalen e Kupës së Maqedonisë, ndërsa sot klubi shqiptar ka reaguar në lidhje me dënimin.
Komisioni Disiplinor i FFM-së i ka shqiptuar klubit tetovar një gjobë prej 105 mijë eurosh, ndërsa Shkëndija është dënuar edhe me përjashtim nga garat e Kupës së Maqedonisë për sezonin 2026/27, për shkak të refuzimit për t’i pranuar medaljet në ceremoninë zyrtare pas finales.
Ndërkaq, të mërkurën ka reaguar klubi, duke kërkuar që vendimi të rishikohet dhe të korrigjohet urgjentisht, teksa e ka cilësuar atë si të papranueshëm dhe të padrejtë.
Në komunikatën e saj, Shkëndija thekson se ka funksionuar ndër vite “me seriozitet, korrektësi dhe përputhshmëri të plotë me obligimet sportive e financiare”, duke nënvizuar se kontributi i klubit ka ardhur me “kosto, mund dhe sakrifica të mëdha”.
Klubi kujton gjithashtu se paraqitjet e tij në Evropë kanë ndikuar në rritjen e koeficientit të ligës, nga i cili përfitojnë të gjitha ekipet vendore dhe falë të cilit, nga edicioni i ardhshëm, futbolli i Maqedonisë së Veriut do të ketë edhe një vend shtesë në garat evropiane.
“Është e papranueshme që me vendime të marra në tavolinë të dëmtohet një projekt serioz dhe ky kontribut të shpërblehet me goditje të qëllimshme”, thuhet në reagim.
Shkëndija paralajmëron se, nëse FFM nuk e tërheq vendimin, sponsori i klubit do të shqyrtojë edhe opsione më radikale, përfshirë tërheqjen nga klubi/futbolli në Maqedoninë e Veriut.
“Nëse FFM nuk e tërheq këtë vendim, atëherë ne do ta shqyrtojmë seriozisht vazhdimin e mëtutjeshëm, pasi ky vendim i cenon të drejtat dhe politikat e klubit”, thekson komunikata.
Në fund, klubi kërkon që organet e FFM-së të reflektojnë “me urgjencë”, në interes të drejtësisë sportive dhe të ardhmes së futbollit në vend. /Telegrafi/
