Të paktën 21 persona kanë humbur jetën pasi një varkë që transportonte migrantë është fundosur në brigjet e Senegalit, ka bërë të ditur të dielën Ministria e Brendshme e këtij vendi.
Sipas njoftimit të autoriteteve, deri të shtunën në mbrëmje janë gjetur 21 trupa të pajetë, ndërsa vetëm një person ka arritur të shpëtojë.
Aksidenti ka ndodhur në afërsi të Kebemerit, një qytet që ndodhet rreth 180 kilometra në veri të kryeqytetit Dakar.
Operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar, ndërsa autoritetet po kërkojnë për të mbijetuar të tjerë të mundshëm. Deri më tani nuk është bërë e ditur se sa persona ndodheshin në bord të varkës.
Sipas Ministrisë së Brendshme, varka transportonte persona që synonin të migronin në mënyrë të parregullt.
Mijëra persona kanë humbur jetën gjatë viteve të fundit në përpjekje për të arritur në Ishujt Kanarie të Spanjës, duke u nisur nga Afrika Perëndimore.
Sipas organizatës për të drejtat e migrantëve, Walking Borders, vetëm gjatë pesë muajve të parë të këtij viti, 635 persona kanë vdekur në përpjekje për të përshkuar këtë rrugë detare.

